E Diel, 1 Nëntor 2026

Çamët, takim urgjent me Berishën: “Deklarata e tij shumë shqetësuese”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Flet Tahir Muhedini

Kryetari i Partisë Bashkimi për Drejtësi dhe Integrim, Tahir Muhedini, parti e cila mbështet komunitetin çam dhe çështjen kombëtare çame, në një intervistë ekskluzive për “Ballkan”, ka thënë se deklarata e Kryeministrit Berisha në takimin me homologun grek, Karamanlis, është shumë shqetësuese dhe se Berisha duhet ta qartësojë këtë komunitet, pasi ky komunitet është shumë i shqetësuar nga deklarata e ditës së hënë. Muhedini ka bërë publike se vetë ai dhe partia e tij, BDI, do të kërkojë urgjent një takim me Kryeministrin Berisha për këtë çështje si dhe ka bërë publike nëse PD-ja dhe qeveria Berisha nuk do të merret me çështjen çame atëherë bashkëpunimi në zgjedhjet me koalicion nuk do të ketë sukses.
Kryeministri Berisha deklaroi në takimin me homologun grek, Karamanlis, se mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk ka çështje të mbetura pezull. Ndërkohë u anashkaluan totalisht bisedimet mbi çështjen çame. Cili është komenti juaj, zoti Muhedini?
Vizita e Kryeministrit Kramanlis në Tiranë u përshëndet nga ne si parti, BDI, dhe nga unë personalisht. I uruam atij mirëseardhjen. E përgëzuam për votën pro që dhanë për anëtarësimin në NATO dhe nënshkrimin e MSA-së dhe për votën që do të japë për anëtarësimin në BE. Për sa i përket pyetjes që shtroni, që Kryeministri Berisha tha që “të gjitha problemet janë të zgjidhura”, të jem i sinqertë, nuk e kam shumë të qartë këtë që ka thënë zoti Berisha. Për asye se partia jonë, Bashkimi për Drejtësi dhe Integrim, ka dalë hapur pro zgjidhjes së çështjes çame, dhe nuk e di a hyn tek kjo axhendë që Kryeministri tha se janë zgjidhur gjithë problemet, apo nuk është i është referuar fare kësaj axhende, pra zgjidhja e çështjes çame. Mendoj se nuk ka filluar ende shteti shqiptar dhe ai grek të merren me këtë çështje dhe për problemet e pazgjidhura që ka kombësia shqiptare dhe sidomos ajo çame. Në mënyrë kategorike nuk jam dakord me deklaratën e Kryeministrit. Unë i kërkova dhe Kryeministrit Berisha dhe atij Karamalis nga sheshi “Skënderbej” që të diskutohej hapja e dialogut për zgjidhjen e çështjes çame. Siç edhe dëgjuam, nuk u diskutua fare çështja çame. Por sipas medias, edhe çështja “Bollano” nuk u diskutua. Mendoj që as mund të merret në konsideratë një çështje e tillë, ajo “Bollano”, është një çështje e paekzistueshme, ose maksimumi është një provokim nga një individ. Çështja çame është një çështje madhore, është çështje kombëtare. Këtu flitet për një krahinë jo për një person që thotë dy fjalë për mirë apo për keq. Këto dy çështje nuk mund të krahasohen kategorikisht. Nuk ka lidhje fare çështja e “Bollanos” me çështjen madhore që ka krahina çame dhe popullsia e saj. Unë personalisht do t i kërkoj Kryeministrit Berisha për kë e ka pasur fjalën kur deklaroi se mes dy shteteve nuk ka probleme të pazgjidhura. Pasi të marrë kontakte dhe me Kryeministrin do të jem ndoshta më i qartë mbi deklaratat e tij.
A do të ndikojë deklarata e Berishës në marrëdhëniet tuaja politike me PD-në? Do të vazhdoni t i mbeteni idesë për koalicion me ta apo do të dalë e vetme BDI-ja në zgjedhjet e 28 Qershorit? Po nëse në koalicion do të jetë Dule, do të bashkëpunoni me PD-në?
Ne jemi në fazën përfundimtare nga ana teknike që të bëjmë koalicion me Partinë Demokratike. Ne nuk na shqetëson marrja pjesë në koalicionin e djathtë e PBDNJ-së, për arsye se unë personalisht i kam kërkuar kryetarit Vangjel Dule të deklarojë zyrtarisht për të gjetur mundësitë për bashkëpunim. Meqë ai përfaqëson minoritetin grek në Shqipëri, ndoshta, në politikën që bën nuk e kupton që dëmton minoritetin grek, ai për më tepër deklaron teza si karta e tij se kush është ortodoks është grek, gjë që është e turpshme. Madje, akoma më i papërgjegjshëm është ky antishqiptar kur deklaron se çështja çame është inekzistente. Ai për vete gjithnjë ka të njëjtin qëndrim që marrdhëniet Shqipëri-Greqi të mos jenë të mira. Mua nuk më bën përshtypje shumë deklarata e tij, sepse e ka prezantuar veten e tij tashmë si antishqiptar. Unë shumë shqetësuese kam fjalën e Kryeministrit të Shqipërisë. Kjo na lë ne me gojë hapur.
Cilat do të jenë hapat e BDI-së më tej për çështjen çame?
Deklarata e Kryeministrit, të jemi të sinqertë, ishte shumë e papritur dhe nuk kemi ndonjë hap konkret. Ne kemi pasur besim tek Berisha dhe komuniteti çam i ka dhënë votën atij prej 18 vjetësh dhe presim shumë nga ai në vazhdim për zgjidhjen e çështjes çame. Kjo na ra si “rrufeja në qiell të hapur” pa pritur dhe pa menduar. Do të ishte më mirë të mos e shprehte fare mendimin, fjalën që tha. Nëse është çështja se jemi në prag të fushatës, këtë ai e di. Ndoshta ka qenë për fushatë apo diçka tjetër, mirë ishte të mos e përdorte këtë shprehje. Komuniteti çam është pak i tronditur nga deklarata. Së shpejti unë do të kërkoj një takim me Kryeministrin Berisha që të qartësohem më mirë mbi këtë problem.
Pas takimit me Karamanlis, kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ka deklaruar se nuk ekziston çështje çame, a keni një përgjigje ju për kryetarin e minoritetit?
Zoti Dule gjithmonë me fraza të tilla është shprehur dhe këtë politikë ka bërë. Politika e tij ka qenë haptaz antishqiptare. Dhe nga Dule dhe Bollano nuk mund të presim gjë tjetër, ata punojnë për interesa personale dhe jo për ato të minoritetit grek në Shqipëri. Ata u shërbejnë qarqeve antishqiptare dhe nuk bëjnë asgjë më tepër përveç se ndikojnë negativisht për marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, që të jenë ato gjithmonë sa më të ftohta. Ne jemi totalisht kundër tyre, i shërbejmë shtetit shqiptar dhe së mirës së përgjithshme të shtetit tonë. Politika shqiptare duhet të ndalet dhe të analizojë mirë politikën e vërtetë që bën Vangjel Dule. Nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës që një kryetar partie të bëjë politikë kundër atij shteti që e mbron.
A mendoni se shteti shqiptar është treguar disi dashamirës ndaj politikave antishqiptare të qarqeve të ndryshme greke?
Unë kam shumë minoritarë miq, si në kohën e diktaturës dhe atë të demokracisë. Miq që kanë qenë të persekutuar nga diktatura njerëz të nderuar dhe të respektuar. Unë e vlerësoj politikën e Kryeministrit Berisha ndaj minoritetit grek për arsye se edhe BE-ja është shumë e ndjeshme karshi minoriteteve. Ndofta qëndrimi që mban Kryeministri karshi Bollanos bie në sy për keq, meqë është kryetar bashkie. Por Kryeministri Berisha ka pasur kosto karshi minoritarëve në vitet 1994-1997, dhe në këtë moment është shumë më i vëmendshëm sesa ka qenë. Karshi Bollanos dhe kujtdo që shkel Kushtetutën dhe ligjin e shtetit shqiptar duhet mbajtur qëndrim për të gjithë njësoj. Nuk është shqetësuese se thjesht Bollano është një vegël që përdor dikush, për mua është shqetësuese që të dy forcat politike si PD-ja dhe PS-ja po tregohen paksa servilë karshi Vangjel Dules, PBDNJ-së. Arsyet janë që po ta kemi mirë me Dulen do ta kemi mirë dhe me shtetin grek. Mendoj që politika shqiptare dhe protagonistët kryesorë duhet të jenë më koherentë në marrëdhëniet me frcat politike, sidomos me Vangjel Dulen për politikën që bën dhe për mendimet që jep.
Pse dy qëndrime të qeverisë shqiptare, zoti Muhedini, nga njëra anë plotësimi i të gjitha kërkesave të minoritetit dhe nga ana tjetër mosdiskutimi fare i çështjes çame? Ndofta ju nuk keni imponuar qëndrimin tuaj në vite ndaj qeverive?
Komuniteti shqiptar çam ka pasur shumë besim tek kjo qeveri, por mendoj se zoti Berisha duhet ta qartësojë këtë komunitet, pasi ne jemi shumë të shqetësuar nga dje deri më sot që po flasim, pra duhet të flasim me Kryeministrin. Është e drejta e tij nëse do ta sqarojë dhe ta sqarojë siç e dhanë edhe mediat. Do të bëjmë takim urgjentisht me Kryeministrin Berisha. Për arsye se ne kemi një program dhe programi ynë në thelb ka zgjidhjen e çështjes çame, nëse një forcë politike nuk merr përsipër zgjidhjen e saj mendoj se edhe bashkëpunimi nuk ka sukses. Duhet të ketë bashkëpunim të përbashkët si për çështje kombëtare dhe për atë çame.
Ky lajm është publikuar: 29/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›