E Diel, 1 Nëntor 2026

Çështja çame, Berisha: “Mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk ka çështje të mbetura pezull”

Autori i Lajmit: red.
Kryeministri Sali Berisha tha ditën e hënë në takimin me homologun e tij, Kostas Karamanlis, se marrëdhëniet midis dy vendeve janë të shkëlqyera dhe nuk ka më asnjë çështje për të zgjidhur ai deklaroi se "mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk ka çështje të mbetura pezull, përkundrazi ato janë zgjidhur nëpërmjet dialogut dhe bashkëpunimit". Në fjalën e dy kryeministrave, në asnjë rast nuk u përmend çështja e çamëve, të cilët një ditë më parë protestuan në një prej shesheve qendrore të Tiranës për ngritjen e një obelisku në tokën çame, ku të përkujtohen shqiptarët që u përndoqën dhe u vranë nga grekët si dhe i kanë kërkuar qeverisë Berisha që të kërkojë zgjidhje nga Athina zyrtare mbi çështjen e pronave të komunitetit çam në trojet e të parëve të tyre në Greqi.

Reagimi i Kryeministrit: “Fola me Karamanlisin për pronat e çamëve”

Këshilli i Ministrave dhe konkretisht zyra e shtypit të Kryeministrit Berisha ka reaguar dje pas botimeve në media të deklaratave të tij se “mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk ka çështje të mbetura pezull, përkundrazi ato janë zgjidhur nëpërmjet dialogut dhe bashkëpunimit" duke thënë: “Sot dhe dje, media të kontrolluara nga Edi Rama dhe nën diktatin e tij kanë shpifur dhe trilluar lidhur me vizitën e Kryeministrit të Greqisë, Kostas Karamanlis, sikur gjoja Kryeministri Berisha nuk paska diskutuar problemin e pronave të çamëve. Kryeministri Berisha në këtë takim dhe në çdo takim me zyrtarët më të lartë të Greqisë, ka diskutuar këtë çështje në përputhje të plotë me përcaktimet e traktatit të miqësisë dhe bashkëpunimit midis Greqisë dhe Shqipërisë”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Ky lajm është publikuar: 29/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›