Topolanek, Shkupit: “Zgjedhjet, provim mature”
Kryeministri i Republikës Çeke, Mirek Topolanek, vendi i të cilit kryeson presidencën e radhës të Bashkimit Europian, gjatë vizitës në Shkup tha se zgjedhjet e ardhshme janë një provim mature për Maqedoninë. Topolanek theksoi se zgjedhjet janë një test që vendi duhet t’i kalojë në mënyrë që të vazhdojë procesin e integrimeve. “Nëse zgjedhjet janë të lira dhe demokratike, atëherë mbetet vetëm kontesti për emrin, i cili duhet të zgjidhet”,- pohoi Topolanek, duke shtuar se vendi i tij mbështet plotësisht anëtarësimin e Maqedonisë në BE. Topolanek zhvilloi takime me presidentin maqedonas Branko Cërvenkovski dhe kryeministrin Nikola Gruevski. Në këto takime u diskutua edhe zgjerimi i BE-së, procesi i reformave, me qëllim afrimin e vendit drejt anëtarësimit në BE si dhe regjimin e liberalizmit të vizave. Vizita e Presidentit aktual të Bashkimit Europian erdhi vetëm pak ditë nga zhvillimi i zgjedhjeve presidenciale dhe lokale në Maqedoni, të cilat janë përshkruar si kyçe për integrimin e vendit në BE. “Zgjedhjet presidenciale në mars dhe dialogu me opozitën do të jenë shumë të rëndësishme. Republika çeke mbështet anëtarësimin e Maqedonisë në strukturat Euro-Atlantike, pavarësisht se vendet e vjetra në BE janë kundër zgjerimit”, - ka thënë Topolanek pak kohë më parë.
11 Mars 2009