Kosova merr mbështetjen e Parlamentit Europian për njohje
Shefi i diplomacisë kosovare, Skënder Hyseni, u takua dje në Strasburg me kryetarin e Parlamentit Europian, Hans-Gert Potering, të cilin e njohu me zhvillimet në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë. Ministri Hyseni nënvizoi rëndësinë e funksionalizimit të plotë të EULEX-it dhe përfundimin e mandatit të UNMIK-ut në Kosovë, theksoi perspektivën europiane të popullit dhe të institucioneve të Kosovës. Ai po ashtu falënderoi Poteringun për ndihmën e madhe që ka dhënë për Kosovën Parlamenti Europian, si dhe ka kërkuar përkrahje edhe në të ardhmen.
Duke shfaqur shpresën se edhe pesë vendet e mbetura anëtare të Bashkimit Europian, që nuk e kanë njohur ende Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, do ta bëjnë një gjë të tillë, Hyseni në veçanti kërkoi përkrahjen për Kosovën sidomos në rrafshin e njohjeve të mëtejme. Kryetari i Parlamentit Europian nga ana e tij përgëzoi ministrin Hyseni për të gjitha arritjet e Kosovës, si dhe e siguroi atë se Parlamenti Europian dhe ai personalisht do të vazhdojnë ta përkrahin Kosovën në rrugën e saj të zhvillimit dhe të integrimit europian.
Arrestohet në Norvegji një serb i dyshuar për krime në Kosovë
Një serb i dyshuar për krime në Kosovë është arrestuar në Norvegji.Lajmi u bë i ditur nga gazeta “Verdens Gang”. Sipas AFP-së, policia norvegjeze ka konfirmuar se arrestimi është bërë, por nuk ka dhënë detaje të tjera. Gazeta norvegjeze “Verdens Gang” raportoi se personi, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, ishte në listën e personave të kërkuar për krime të Misionit të OKB-së në Kosovë. Ky mision e kishte informuar policinë norvegjeze për praninë e personit në këtë vend. Sipas gazetës, ai është i akuzuar për kërcënime dhe dhunë me qëllim të dëbimit të shqiptarëve nga Kosova.
Medvedev: “Sinjalet nga Obama janë pozitive”
Presidenti i Rusisë, Dimitri Medvedev, ka deklaruar se sinjalet që po merr nga presidenti amerikan, Barak Obama, janë “krejtësisht pozitive”. Medvedev këto komente i bëri gjatë takimit me anëtarët e një komisioni amerikan për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. “Për fat të keq, marrëdhëniet tona kishin degraduar në mënyrë domethënëse, gjatë disa viteve të kaluara. Ne ishim të shqetësuar për këtë fakt. Ne besojmë se kemi çdo mundësi për të hapur një faqe të re në raportet me Shtetet e Bashkuara. Sinjalet që ne po marrim nga Shtetet e Bashkuara, në veçanti nga Presidenti Obama, më duken krejtësisht pozitive”, - tha Dimitri Medvedev. Ai konfirmoi se më 1 prill në Londër do të takohet me Presidentin Obama.
Mediat kroate: CIA mendon se në 2020-n BE-ja do të shpërbëhet
Burime nga mediat kroate kanë konfirmuar se Agjencia Amerikane e Inteligjencës, CIA, në projeksionin e saj për botën parashikon shpërbërjen e Bashkimit Europian në vitin 2020. Në projektin e shërbimit inteligjent amerikan, Europa shikohet si një tërësi e përbërë nga: Europa Perëndimore, Europa e Re, Europa Lindore dhe Europa sllave. Europën Perëndimore do ta përbënin: Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Austria. Në Europën e Re do të hynin: Estonia, Lituania, Çekia, Sllovakia, Sllovenia dhe Kroacia. Europë Juglindore sipas tyre quhet Federata Ballkanike, e cila përbëhet kryesisht nga popujt sllavo-ortodoksë. I gjithë informacioni është bërë publik në një faqe interneti të Kroacisë. Në Europën Juglindore, e cila siç thuhet do të jetë nën patronazhin e SHBA-ve, do të bëjnë pjesë Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Rumania, Bullgaria, Serbia dhe Greqia, por edhe Bosnjë-Hercegovina.
11 Mars 2009