Torres admiron Guardiolën

Sulmuesi i Chelseas, Fernando Torres ka shprehur admirimin e tij për trajnerin e Barcelonës, Pep Guardiola, për të cilin beson se po bën punë të mrekullueshme duke mbajtur të lumtur futbollistët e tij.
Guardiola shijoi sukses të madh prej kur mori drejtimin e Barcelonës më 2008, duke fituar tre tituj në La Liga, Copa del Rey dhe dy herë Ligën e Kampionëve.
Edhe më mbresëlënës është mënyra si Guardiola ka menaxhuar ekipin e tij duke mbajtur të lumtur futbollistë si Lionel Messi , Andres Iniesta dhe David Villa. Me përforcimet shtesë si Cesc Fabregas dhe Alexis Sanchez, të ardhur gjatë verës, Guardiola do të ketë dilemë edhe më të madhe për të mbajtur të lumtur të gjithë futbollistët e tij, përfshirë ata që ngrohin bankinën.
Mirëpo, Torres beson se Guardiola është më i miri në menaxhimin e futbollistëve. “Mendoj se në ditët e sotme është një ekip që është mbi të tjerët në Spanjë dhe Evropë e ai është Barcelona”, tha Torres për ueb faqen zyrtarë të La Ligas.
“Është vështirë të rivalizoni ambiciet e Barcelonës. Ju mund të fitoni gjithçka për një ose dy vite, por në të tretin do të rrëzoheni, ndërsa në të katërtin futbollistët do të kërkojnë të largohen. Nuk është kaq e thjeshtë të fitoni çdo vit, nuk e di si arrin Guardiola t’i mbajë të lumtur futbollistët e tij. Mbi të gjitha janë futbollistë, të cilët nuk duket se kanë vend në ekip dhe ai ua gjen hapësirën. Të mbani këtë nuk është e lehtë”, përfundoi Torres.