Blejnë mjaltë me euro false, dy në pranga
Vlorë – Arrestohen në flagrancë Bekim Dobrushi dhe Arban Hakiu, të dy banues në Tiranë. Të rinjtë, përkatësisht të moshave 19 dhe 22 vjeç, u prangosën pas një denoncimi të bërë nga një shitës mjalti, të cilit i kishin blerë një sasi 2 kilogramë dukepërdorur një kartëmonedhë të falsifikuar prej 100 eurosh.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm rreth orës 9:00 në fshatin Kalas të Himarës, ku Dobrushi dhe Hakiu, ndërsa ishin nisur drejt Sarandës kanë ndaluar për të blerë 2kg mjaltë në një pikë shitjeje. Për këtë ata kanë përdorur një kartëmonedhë prej 100 eurosh.
Por pas largimit të tyre shitësi ka kuptuar se kartëmonedha ishte false dhe ka njoftuar policinë duke i dhënë targën e makinës dhe përshkrimin e blerësve të mjaltit. Nga ana e vetë policisë është bërë e ditur se po hetohet për një grup të falsifikimit të kartëmonedhave dhe se dyshohet që të rinjtë të kenë futur në treg edhe monedha të tjera false. Gjithashtu dyshohet se blerja ka qenë një provë për “vërtetësinë” e kartëmonedhave të tyre.