E Shtunë, 31 Tetor 2026

Toska në Dibër: Të afëmit tuaj janë mbytur në det

30/03/2005  TIRANË- Ministri i Rendit Publik, Igli Toska deklaron zyrtarisht se 32 dibranët nga fshati Maqellarë i Dibrës janë mbytur në det. Ky ka qenë rezultati i hetimeve të deritanishme të hetimeve të dikasterit blu dhe transmetimi u bë direkt në familjet e të mbyturve. Mes lotëve, të afërmit e kanë pranuar një fakt të tillë, ndërsa kërkuan trajtimin në rrugë ekonomike të qeverisë, si e vetmja mundësi për të ulur sadopak dhimbjen e tyre. Deklarata e parë pas 9 viteve të gjata kërkimesh e mbledhje dokumentacioni duket se bazohet mbi fakte konkrete. Ndërkaq, më 25 maj të vitit 2004 Prokuroria e Vlorës i deklaroi të mbyllura hetimet për tragjedinë e vitit 1996, ku humbën jetën në det 32 dibranë. Pas kërkesës së familjarëve për të hetuar më gjerësisht në lidhje me këtë ngjarje, prokuroria nuk ka pasur asnjë provë për të zbardhur më tej këtë ngjarje.

Tragjedia

Hetimet fillimisht kanë nisur në vitin 1996, kur karabinieria italiane e Brindizit ka sinjalizuar për gjetjen e kufomës së Sulejman Qokut, nga Kollbçishti i Maqellarës. Ai është gjetur në barkë të vogël, ku kishte mbetur i lidhur. Pas hetimeve mësohet se Qoku ishte një nga 32 personat, të cilët kishin ardhur nga Dibra më 9 mars 1996 me qëllim për t'u nisur në Itali. Ata ishin sjellë në Vlorë nga Pajtim Aga dhe Sefedin Koçi, duke iu premtuar edhe vajtjen në Itali. Gjatë hetimeve ka rezultuar se skafi ka qenë pronë e Dule Veizit dhe shoqërohej nga Dule Jaçe, ndërkohë që motorist, ishte një person me emrin Gëzim. Skafi ishte blerë dy ditë më parë, ndërkohë që me vete kishte edhe një barkë të vogël për emergjenca. Por më 10 tetor 1996, hetimet pezullohen pasi nuk kishte prova të mjaftueshme. Prokuroria urdhëroi që hetimet të nisin edhe një herë, më gjerësisht më 20 maj 1998, të firmosur nga prokurori Isa Lata, në Prokurorinë e Përgjitshme. Pasi janë marrë në pyetje familjarët në Dibër dhe ato të skafistëve, ka rezultuar se janë mbytur 32 vetë. Por një kapiten grek, u ka premtuar familjarëve të viktimave, se do ta zgjidhte këtë problem, po t'u jepnin 4 milion dhrahmi. Tragjeditë detare të shqiptarëve janë të shumta e të dhimshme. Më 28 mars 1997, në kanalin e Otrantos mbyten 81 persona, të cilët udhëtonin me anijen Katri i Radës, e qëlluar nga anija ushtarake italiane Sibila. Më 2 gusht 1999, nga përplasja e dy gomoneve në afërsi të Sazanit, kanë vdekur 5 persona. Më 30 janar 2000,mbyten 27 persona duke udhëtuar me gomone disa milje larg ishullit të Sazanit, ndërsa më 9 janar 2004 zhduken 7 persona e gjetën vdekjen 21 persona, 5 milje larg bregdetit nga zona e Dhërmiut.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›