E Diel, 1 Nëntor 2026

Totozani: Duhen politika për mbrojtjen nga diskriminimi të komunitetit LGBT

TIRANE - Gjatë fjalës së tij në aktivitetin organizuar për Ditën Ndërkombëtare të homofobisë dhe transfobisë, Avokati i Popullit Igli Totozani theksoi se Shqipëria nuk ka nevojë për pasione homofobike. Ai shprehu shprehu bindjen se shoqëria shqiptare ka forca për të hapur një dialog dhe debat të shëndoshë qytetar për të drejtat dhe liritë e komunitetit LGBT.

“Sot është vërtet një ditë në të cilën mund të bëhen shumë apele dhe të citohen shumë konventa e ligje. Por ka rrethana ku ekziston vetëm një LIGJ: ligji i ndërgjegjes sonë! Dhe në këto rrethana, veçanërisht zyrtarët dhe politikanët e një vendi, e kanë vetë në dorë të zgjedhin: të mbeten Njerëz ose të bëjnë Demagogun e egër që shkel mbi fate Njerëzish. Kemi parë këto ditë se sa me lehtësi infantile dhe entuziazëm dritëshkurtër, disa kanë zgjedhur të dytën”- u shpreh Totozani.

Duke rënditur disa nga problemet me të cilat përballet sot komuniteti LGBT, në ushtrimin e të drejtës për punësim apo formim profesional, në shfaqjen e qëndrimeve stigmatike dhe izoluese apo të gjuhës së urrejtjes, në shkollë dhe shoqëri, Avokati i Popullit bëri sërish thirrje për angazhim maksimal të të gjitha autoriteteve shtetërore përgjegjëse që sipas fushës së tyre të veprimit të hartojnë politika për mbrojtjen nga diskriminimi të komunitetit LGBT.

“Vlerësoj se për sa thashë më lart, ka nevojë për përmirësime ne legjislacionin shqiptar, atje ku është e nevojshme. Kuptohet, që të gjitha këto përmirësime duhet të bëhen duke pasur parasysh jo vetëm standardet shqiptare, por edhe standardet e përcaktuara në aktet ndërkombëtare dhe në direktivat europiane.”- tha Avokati i Popullit.

“Sot është një ditë e lumtur për ju dhe për ne, ndjehuni të gëzuar sepse sot po fillon një histori e re e Shqipërisë, e ndërtimit të themeleve të një shoqërie të hapur. Ndjehuni të lumtur por edhe të fortë, ne do të jemi në krahun tuaj në të gjitha betejat.”- përfundoi Totozani.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›