E Shtunë, 31 Tetor 2026

Totozani i akordon bazës ajrore të Farkës simbolin e Avokatit të Popullit

TIRANE- Avokati i Popullit, Igli Totozani, u dorëzoi sot pilotëve të Bazës Ajrore të Helikopterëve në Farkë simbolin e këtij institucioni, në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për kontributin që ata kanë dhënë në përballimin me sukses të situatës së Emergjencave Civile në zona të ndryshme të vendit.

"Gjatë operacionit për përballimin e vështirësive të krijuara nga bllokimi nga dëbora të disa zonave në veri, verilindje dhe juglindje të vendit, në ditët e vështira të këtij viti ju keni realizuar operacione që keni shpëtuar jetë njerëzore, duke rrezikuar madje edhe jetët tuaja. Kemi ndjekur me ankth dhe kemi qenë pranë jush në operacionet e evakuimit dhe transportimit nga ajri të personave me probleme shëndetësore, të grave shtatzëna, transportin e ndihmave. etj", u shpreh Totozani gjatë fjalës së tij në ceremoni.

Avokati i Popullit, Totozani i dorëzoi komandantit të Bazës Ajrore të Farkës, kolonel Frederik Beltoja, emblemën e institucionit që ai drejton, me motivacionin "Për kontribut të veçantë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut".
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›