Elbasan, arrestohet 46-vjeçarja për prostitucion
Policia e Elbasanit ka arrestuar një 46-vjeçare, e cila akuzohet për shfrytëzim prostitucioni. Pas një denoncimi të kryer, në prangat e policisë ra Vule C. Sipas burimeve të policisë, gruaja ka shfrytëzuar mbesën e saj 17-vjeçare. Nga hetimet paraprake, gruaja i gjente klientët dhe më pas i merrte paratë. Sipas policisë, e arrestuara, 46-vjeçarja Vule C., lindur në Mollas e banuese në lagjen nr. 3 Cërrik, është ndaluar me urdhër të Prokurorisë së Elbasanit. Në bazë të këtij urdhri, ajo është ndaluar, pasi dyshohet se ka shfrytëzuar në rrethana rënduese mbesën e saj, shtetasen K.SH., lindur në vitin 1992 në lagjen "Haxhias". Burimet policore sqarojnë se gruaja e ka shfrytëzuar vajzën për 4 muaj, duke e detyruar të kryente marrëdhënie seksuale me klientët që i gjente vetë, ndërkohë që i merrte edhe paratë. Ajo është shoqëruar për në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara drejtësisë, ku akuzohet për kryerjen e veprës penale të “shfrytëzimit të prostitucionit”.
Përmet, arrestohet 34-vjeçari për kontrabandë
Një person është arrestuar nga policia, pasi akuzohet për kontrabandë në Përmet. Në prangat e uniformave blu ra 34-vjeçari Thoma Qirici. Sipas burimeve nga policia, ditën e djeshme rreth orës 18:30, i riu është ndaluar nga punonjësit e Policisë të Komisariatit të Përmetit, në aksin rrugor Përmet-Çarshovë, pasi në mjetin e tij furgon me targa PR 1683 B kishte marrë 80 arka me portokalle në Greqi dhe kishte deklaruar në doganën e Tre Urave vetëm për 30 arka, duke shmangur detyrimet doganore për pjesën tjetër të mallit. Policia sekuestroi mallin dhe automjetin e 34-vjeçarit.