Tradita modifikon të gjallët
Nëse ajo që unë shkruaj, është e njëjtë me atë që mjeshtri i mëparshëm ka shkruar, do të thotë se në përsiatjet tona ne ishim një. Nëse unë shkruaj diçka ndryshe nga mjeshtrat e mëparshëm, ndoshta jam duke plotësuar atë çka mungon nga puna e tyre. Ose mund të ndodhë që mjeshtrat e mëparshëm të plotësojnë atë çka i mungon punës sime. Në Perëndim tradita do të thotë që i gjalli modifikon të vdekurin. Në Kinë mund të thuhet se i vdekuri, nëpërmjet të gjallit, rishikon poezitë e veta… Poezia vetë është në të njëjtën kohë metafora dhe mishërimi i procesit të krijimit të saj: poeti vdes, faktet biografike humbasin dhe poezia mbetet. Gjuha ndryshon, kuptimi humbet dhe poezia mbetet. Gjuha nuk flitet më, qyteti ku ishte shkruar është një rrënojë e groposur dhe poezia mbetet. Dhe ç’është akoma më e çuditshme: përfundimisht thelbi, qenia apo cilësia më e papërshkrueshme që mbetet në poemë, është saktësisht ajo që lind, ajo që mishërohet në poemën tjetër. Ka një karma të poezisë: Poezitë më të mira udhëheqin me mijëra jetë të mëpastajme, ashtu sikurse poezitë e tjera, çka Rober Duncani i quajti Kolazhi i Madh. E ndoshta poezitë e këqija rilindin, si ajo që në jetët e tyre u ka shëmbëllyer me një poezi të keqe: fillimet e një ditari, letra dashurie që të vënë në pozitë të vështirë, kujtime të botuara nga vetë autori, histori anekdotike “për të mbushur radhët” në fund të rubrikave në gazetat profinciale, pasazhe përshkruese në shënime të mërzitshme udhëtimesh, shënimet para vetëvrasjeve që nuk pasohen nga vetëvrasja, vargje këngësh për të cilat askush nuk ka shkruar ndonjë muzikë.
Eliot WEINBERGER
1.
Në Kinën klasike çdo akt i të shkruarit ka në fillesën e vet aktin e të lexuarit. Ars poetica e jashtëzakonshme e Lu Chi-s, Wen Fu, shkruar ne shek. e tretë, hapet me një poet: “duke qëndruar
në qendër të gjërave, duke vëzhguar erresirën, duke ushqyer ndjejat dhe intelektin e tij me veprat e mëdha të së kaluarës”. Pas përsiatjeve për kalimin e stinëve e më pas për vetë kohën, ai “i këndon rrëzëllimit të forcës së moralit të paraardhësve të tij, endet në pyllin e letrave e nëpër minierat e thesarit të veprave letrare, duke admiruar barazpeshën e përsosur të mjeshtërisë së tyre të dashur e komplekse”. Dhe më pas, “i prekur, ai i vendos libart mënjanë dhe merr penelin e tij shkrues”, me qëllim që, sikurse Lu Chi-a thotë, “ta shpallë atë haptas në letërsi”.
Katërqind vjet më vonë, kritiku kinez i shek. të 17-të, Yeh Hsieh-i, në traktatin e tij “Origjina e poezisë”, komnenton: “Nëse ajo që unë shkruaj është e njëjtë me atë që mjeshtri i mëparshëm ka shkruar, do të thotë se në përsiatjet tona ne ishim një. Nëse unë shkruaj diçka ndryshe nga mjeshtrat e mëparshëm, ndoshta jam duke plotësuar atë çka mungon nga puna e tyre. Ose mund të ndodhë që mjeshtrat e mëparshëm të plotësojnë atë çka i mungojn punës sime.”
Ky kuptim i së shkuarës ka pak të bëjë me konceptin perëndimor për ”traditën”, ashtu siç është përdorur gjatë dy mijë viteve të fundit, dhe e cila ka qenë bazuar në rikthimin te modelet (shpesh të harruara ose të lëna në errësirë) e vjetra. (Mishërimi i fundit në SHBA është “ngulmimi i të ashtuajturit Formalizëm i Ri, për kthimin në prozodinë e shek. Të 19-të.) Ai ka aq më pak të bëjë me legjendën e tanishme të “ankthit nga ndikimi”, ku akti i të shkruarit është reduktuar në zakonet e çiftëzimit të drerëve, mehskujt me të rinj e më të vjetër me degëzimet e brirërve të tyre të mëdhenj vringëllues. Përreth 2500 vjet tradita në poezinë kineze do të thoshte përcjellje: ndryshim i vazhdueshëm në të shkuarën që po shkonte përpara me siguri. Ata që do të ktheheshin mbrapsh, imituesit servilë të së kaluarës, janë gjithnjë objekt talljeje i kritikës kineze. Në anën tjetër, poezia kineze deri në këtë shekull, nuk njihte asnjë nga thyerjet dramatike të stilit apo të përmbajtjes, që për Perëndimin kanë qenë të zakonshme. Poezia kineze është shkruar në një gjuhë që ndryshonte ngadalë dhe ishte shekuj mbrapa ekuivalentit të saj të folur, e mbushur me aludime mjeshtërore për poezi të tjera shihej si një pjesë më tepër e dialogut të pafund ndërmjet të gjallit e të vdekurit.
Në Perëndim tradita do të thotë që i gjalli mjodifikon të vdekurin. Në Kinë mund të thuhet se i vdekuri, nëpërmjet të gjallit, rishikon poezitë e veta.
2
Akti i poezisë sanskrite e ka zbatuar teorinë e gjurmëve karmike në aktin e të lexuarit. Dikush i përgjigjet poemeës, sepse ajo flet drejtpërdrejt për përvojën e dikujt, por nuk është e nevojshme që kjo përvojë të ketë ndodhur në këtë jetë. Një stundent i papërvojë preket nga një poezi erotike për shkak të gjurmëve karmike të dashurive të lashta. Në mënyrë të ngjashme, dhe me mallëngjim të pazakonshëm për pedagogët, thuhet që, nëse një stundent nuk preket nhga një poezi kjo ndodjh për shkak të pamjaftueshmërive dhe të metave të grumbulluara gjatë jetëve të tij të mëparshme. (Për fat, dalllimi që bëhet mes përvojës dhe poezisë është i vogël. Nëse, për shembull, dikush nuk di asgjë për dashurinë nga kjo jeta a nga jetët e maparshme, ai mund të mësojë për dashurinë, dhe të krijojë gjurmët karmike të saj për jetët e ardhshme, përmes studimit të thellë emocional të poezisë, studim ky që përshkruhet specifikisht si jo teknik, gramatikor apo pedant.)
Atëherë, poezia në Indi nuk është vetëm vendi ku ne mund të dëgjojmë të vdekurin të flasë, por edhe vendi ku dëgjojmë vetët tona të flasin. Nuk është çudi për ne që fjalët e lashta na prekin ende; nuk kërkojmë shpjegim, i cili është pjesërisht i pavërtetë, për atë që përvoja njerëzore është universale dhe ahistorike. Por, megjithëse poezitë sanskrite kanë shumë ç’të thonë për vasana-t e të lexuarit, nuk di të kenë çfarë të thonë për vasana-t e të shkruarit. Është e qartë se në gjithësitë indiane, akti i të shkruarit, si çdo akt tjetër, duhet të përfshijë variantet më të vjetra të atij që në fakt lëviz penden.
3
Pas rënies së perandorisë së Aztec-ëve në vitin 1519 dhe pas murtajave shfarosëse të 1520-ës, të 1531-shit dhe asaj më të keqes nga 1545 deri më 1548, afërsisht në vitit 1550-1570, pas natës së gjatë të pushtimit dhe një orë para lindjes së perandorisë spanjolle të institucionalizuar, të mbijetuarit u lartësuan nëpërmjet kultit të ekzekutimit të spektaklit të quajtur Netotilitzi. Artaud-ja do ta kishte adhuruar atë: një skenë e mjegulluar nga temnjani, e zbukuruar me lule e pemë artificiale, vallëtarë të stolisur me pupla, bojë e lule; luftëtarë që riluajnë në skenë beteja me erashka e grepa; djem të veshur si zogj e si flutura, duke thithur vesën e luleve; këngëtarë e muzikantë duke luajtur tërë natën me kunguj rrapëllyes, çirrje, guaska, kallamë flauti, gonge, zile e stringla, bilbila argjili, daulle druri, daulle lëkure e daulle prej zhgualli të breshkës. Këngët që këndoheshin në Netotilitzi ishin shkruar, përmes informatorëve vendas, nga priftërinj që i mblidhin ato nga joshja ose si provë për zvetënimin vendas (ndërsa e drejta fetare harton tashmë arkivë pornografie). Dikur, pas 1585-ës, pasi kulti pushoi së ekzistuari, këngët u rikopjuan dhe u mblodhën nën titullin Cantares Mexcanos. Ato formojnë një tekst të çuditshëm, përfundimisht të pashpjegueshëm: 91 këngë ose psallme të shkruara në gjuhë metaforike, ndoshta të pakuptueshme për lexuesit e saj. Përkthimi i parë i plotë i librit u botua vetëm dhjetë vjet më parë. Përkthyesi John Bierhorst-i, ia doli mbanë pasi dy dijetarët e mëparshëm të Nahuatl-it vdiqën në mes të përgatitjeve të varianteve të tyre.
Është teoria e Bierhorst-it që spektakli takli i Netotilitzi-t ishte pjesë e kultit të valles së fantazmës, i ngjashëm me atë që spastroi indianët e thjeshtë në Amerikën e Veriut në vitet 1870 dhe përfundoi njëzet vjet më vonë me masakrën në Ëounded Knee. Por, ndërsa këngët e valles së fantazmës së Plains-ve kishim për qëllim të thërrisnin luftëtarët në tokë për të mundur të bardhët, Cantares-et ishin diçka krejt e ndryshme. Këto këngë nuk ishin shpikje e këngëtarëve të tyre që ua drejtonin të vdekurve. Këto këngë konsideroheshin të ishin vetë luftëtarët e vdekur, çka do të thotë se luftëtarët, të ciulëve u ishte prishur mendja duke u ofruar ushqime, lule, muzikë e seks, tashmë u shfaqën të shndërruar në këngë për të ndrequr botën. Për më tepër, ata sollën shijen e Parajsës për këto këngë fantazëm me ardhejn e tyre këtu, duke i transformuar njëkohësisht këngëtarët e tyre në botën tjetër.
Mbrëmjet poetike përbëjnë një vend ku ne kemi mundësi të dëgjojmë të vdekurit. Në Perëndim, duke e shkruar atë, kemi mundësi t’u kthejmë atyre përgjigje. Në Kinë të vdekurit flasin përmes nesh. Në Indi vetët tona të vdekura janë në gjendje të flasin. Në Plains-ët e Amerikës së Veriut e në shumë kultura të tjera ishte një mënyrë për të thirrut të vdekurit. Në spektaklin e Aztec-ëve poema vetë ishte një fantazëm hakmarrrëse.
George Oppen-i në një letër thotë se një poet mediokër nuk kishte shumë frikë nga poezia.
4
Zotat, natyrisht, nuk shkruajnë poezi. Poezia prodhohet nga takimi midis dy botëve ose dy gjysmë botëve; brenda dhe jashtë kohës, brenda e jashtë trupit, në individin e kolektivin e historisë, kulturës së veçantë e vetë njerëzimit. Dhe poezia vetë është në të njëjtën kohë metafora dhe mishërimi i procesit të krijimit të saj: poeti vdes, faktet biografike humbasin dhe poezia mbetet. Gjuha ndryshon, kuptimi humbet dhe poezia mbetet. Gjuha nuk flitet më, qyteti ku ishte shkruar është një rrënojë e groposur dhe poezia mbetet. Dhe ç’është akoma më e çuditshme: përfundimisht thelbi, qenia apo cilësia më e papërshkrueshme që mbetet në poemë, është saktësisht ajo që lind, ajo që mishërohet në poemën tjetër. Ka një karma të poezisë: Poezitë më të mira udhëheqin me mijëra jetë të mëpastajme, ashtu sikurse poezitë e tjera, çka Rober Duncani i quajti Kolazhi i Madh. E ndoshta poezitë e këqija rilindin, si ajo që në jetët e tyre u ka shëmbëllyer me një poezi të keqe: fillimet e një ditari, letra dashurie që të vënë në pozitë të vështirë, kujtime të botuara nga vetë autori, histori anekdotike “për të mbushur radhët” në fund të rubrikave në gazetat profinciale, pasazhe përshkruese në shënime të mërzitshme udhëtimesh, shënimet para vetëvrasjeve që nuk pasohen nga vetëvrasja, vargje këngësh për të cilat askush nuk ka shkruar ndonjë muzikë.
Përktheu Pranvera Papamihali
1 Shkurt 2009