Abuzimet, ISKSH gjobit 26 mjekë e 40 farmaci në Tiranë
zirina llambro
Gjoba për 26 mjekë të poliklinikave e 40 farmaci në Tiranë.
Pas kontrolleve të dy muajve të fundit nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, mangësitë e gjetura kanë qenë jo pak. “Në zbatim të kontratave në fuqi ndaj 26 mjekëve në qendrat shëndetësore janë vendosur gjoba në vlerën totale 86 000 lekë dhe masa zhdëmtimi ndaj 19 mjekëve të përgjithshëm të familjes në vlerën 195 749 lekë”, tha Pjerin Kodraçari, drejtor i Kontrollit të Jashtëm në ISKSH. Ai shtoi se gjatë kontrolleve janë vërejtur mungesa të personelit shëndetësor sipas orarit të miratuar, mangësi të informimit së të siguruarve në lidhje me shërbimet që ofron qendra shëndetësore si dhe mosrespektim i tarifave të shërbimit shëndetësor për personat e pasiguruar. “Në pjesën më të madhe nuk dokumentohen vizitat për personat e pasiguruar (duke favorizuar pagesat informale”, tha Kodraçari. Ai nënvizoi se mjaft shqetësues është përdorimi racional i barnave në trajtimin e të sëmurëve. Në këtë drejtim është vërejtur se nuk ruhen siç duhet kartelat, nuk plotësohet saktë ecuria e sëmundjes, diagnostikimit, ekzaminimet, konsultat dhe mjekimi. “Mjekët specialistë, në mënyrë të veçantë mjekët kardiologë, vazhdojnë të plotësojnë rekomandime me barna të shtrenjta që në fazat e para të sëmundjes në kundërshtim me praktikën e njohur mjekësore”, shtoi drejtori i kontrollit të jashtëm të ISKSH.
Farmacitë
Në sitë janë vendosur edhe 59 subjekte farmaceutike që kanë kontratë me ISKSH. “U evidentuan një sërë problemesh edhe në këtë rrjet. Këtu do të përmendja gjetjen e barnave të listës së rimbursimit pa pullën e kontrollit, mangësi në faturat e inventarizimit, por edhe rimbursim të padrejtë të qytetarëve”, sqaroi Kodraçari. Nga sa bëri me dije lidhur me shitjet e barnave pa recetë mjeku, janë vendosur masa administrative gjobe ndaj 10 subjekteve farmaceutike në vlerën totale 100 mijë lekë. Në subjektin ku u gjetën barna të listës së rimbursimit pa pullën e kontrollit të MSH-së, është ndërprerë kontrata dhe i është propozuar komisionit të Licencimit për heqje të licencës profesionale. Sakaq, në ambientet e 3 farmacive u gjendën libreza shëndeti të pacientëve pa qenë të pranishëm në farmaci, e për rrjedhojë u vendosën masa administrative ndaj të tre subjekteve në vlerën totale 3000 lekë. “Në 10 farmaci u gjendën një sasi e konsiderueshme e faturave të furnizimit pa regjistruar gjobat ndaj këtyre subjekteve në vlerën totale 149 000 leke”, nënvizoi drejtori i kontrollit të jashtëm.
26 mjeke
të poliklinikave të Tiranës janë penalizuar me gjoba e zhdëmtim për shkelje në punë dhe mosrespektim të kontratave me ISKSH-në
40 farmaci
mes të cilave njërës i është hequr licenca, janë gjobitur nga ISKSH. Gjatë kontrolleve u evidentuan një sërë shkeljesh në këtë sistem