Trafik droge nga arresti shtëpiak
Grupi i Ilia Prendit trafikoi tonelata drogë në Itali, i vuri gjobë një shtetasi
Ilia Prendi, 44 vjeç, i njohur ndryshe si Arben Shtëmbari, ka injoruar vendimin e Gjykatës së Vlorës, duke thyer masën e arrestit shtëpiak, për të drejtuar bandën e trafikimit të lëndëve narkotike, e llojit kanabis sativa, nga Shqipëria drejt Italisë. Pavarësisht guximit të tij, Prendi është arrestuar në flagrancë, në tentativë për të transportuar drogë nga brigjet e Himarës drejt Italisë. Personi në fjalë akuzohet edhe për kanosje e gjobëvënie të bashkëqytetarit të tij nga Vlora, Dritan Bello. Pas arrestimit në Himarë, çështja i ka kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë. Ndërkohë, tashmë çështja e tij ka shkuar në gjykatë.
Kronologjia
Në prill të 2011-s, Gjykata e Vlorës kishte dhënë ndaj Ilia Prendit masën e arrestit shtëpiak, për një sërë veprash penale. Një vendim i tillë nuk është respektuar, pasi i dënuari ka dalë lirisht, jo vetëm në rrugët e qytetit të Vlorës ku po vuante dënimin, por ka udhëtuar drejt Himarës, për të organizuar trafikimin e lëndëve narkotike. Ai është kapur në flagrancë, së bashku me bashkëpunëtorët e tij. Ndaj 44-vjeçarit rëndojnë disa akuza, kanosje, gjobëvënie dhe trafik të lëndëve narkotike. Në shkurt të 2012-s, Dritan Bello nga Vlora kishte bërë një kallëzim penal në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, për kanosje nga Ilia Prendi. Sipas Bellos, 44-vjeçari në bashkëpunim me mikun e tij Florian Alliaj e disa persona të tjerë, e kanë rrahur dhe kërcënuar me qëllim që ti merrnin një sasi prej afro 20 mijë eurosh në formë gjobe. Në sajë të këtij kallëzimi nisën hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Dy muaj më vonë, grupi hetimor ka rezultuar se Prendi, në bashkëpunim me Mario Gjatën, Krenar Dulellarin e Renato Xhoxhajn nga qyteti i Vlorës dhe disa persona të tjerë që ende nuk janë identifikuar, kanë dërguar nga bregdeti i Himarës në brigjet e qytetit të Leçes, në Itali, me anë të lëvizjeve me gomone, një sasi prej 550 kg lëndë narkotike e llojit kanabis sativa. Policia italiane sekuestroi drogën, së bashku me gomonen në brigjet e zonës së Leçes, Itali, më 22 prill të 2012-s. Gjithashtu nga ky operacion policor u arrestuan në flagrancë Krenar Dulellari dhe Renato Xhoxhaj, të njohur ndryshe me pseudonimet Çita dhe Çapi. Pavarësisht se rrjeti i tij kishte rënë në gjurmët e policisë, Prendi nuk është ndalur, duke nisur një muaj më vonë, në të njëjtën mënyrë, rreth 95 kg hashash drejt Italisë. Por edhe ky operacion dështoi, pasi policia shqiptare e arrestoi Prendin në flagrancë, duke organizuar rrjetin e tij. Në pranga janë vënë edhe anëtarët e tjerë të bandës, të identifikuar si Mario Gjata, kunatin e tij, Martin Sheko, dhe vëllezërit Artur e Altjon Haxhiu.
Trafik droge nga arresti shtëpiak burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email