Trafik droge për në Itali, shtatë shqiptarë në pranga
Artan CENA
TIRANË - Shtatë persona janë vënë në pranga në Tiranë pasi akuzohen për trafik droge. Operacioni është zhvilluar nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe me Prokurorinë e Leçes, Itali. Mes personave të përfshirë në këtë organizatë është dhe Indrit Dokle, i akuzuar dhe si pjesëtar i bandës së Durrësit, i cili ndodhet në qeli duke u gjykuar. Burime zyrtare nga Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë bërë të ditur se operacioni është koduar me emrin "Ura". Të arrestuarit mësohet se janë pjesë e grupit të madh të arrestuar një muaj më parë gjatë operacionit tjetër të koduar “Lindja e diellit”. Krerë të institucionit të akuzës kanë bërë të ditur se, pas hetimeve disamujore u arrit të goditej një grup i dyshuar kriminal, i përberë nga shtatë persona: Shefqet Vata, Isuf Bunaj, Endrit Dokle, Jorid Xhunga, Edmond Taullai, Vito Biba dhe Eglantina Lulo. Sipas drejtuesve të operacionit, dosja është e plotësuar tashmë me prova, por hetimet po vazhdojnë për të faktuar implikimin e personave të tjerë në këtë trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Arrestimet erdhën pak ditë pas vizitës që prokurori i Antimafies italiane në provincën e Leçes, Cataldo Motta, zhvilloi në Tiranë më 22 prill 2010.
Hetimet
Prej muajsh kishin nisur hetimet në lidhje me trafikun e lëndëve narkotike në drejtim të Italisë. Ka qenë Policia e shtetit fqinj që ka sinjalizuar uniformat blu shqiptare për trafikun që po zhvillohej dhe për personat që dyshoheshin të ishin pjesë e tij. Pas marrjes së informacioneve policia ka nisur hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Gjatë një konference shtypi, Anton Martini, prokuror i Krimeve të Rënda, ka bërë të ditur se “shtatë personat janë arrestuar nga Policia shqiptare në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda me akuzën e trafikimit ndërkombëtar të drogës. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Shtetit, anëtari i tetë i bandës, shtetasi Indrit Taullai, ndodhet në burg ndërkohë që është vënë nën akuzë për kryerjen e veprës penale në bashkëpunim me personat tjerë të arrestuar. Policia ka thënë se shtatë të arrestuarit kanë trafikuar rreth 40 kilogramë heroinë në drejtim të Italisë duke e nisur atë nga Shqipëria në periudhën 2008-2009”. Mësohet se kishte disa rrugë për trafikimin e lëndëve narkotike, njwra nga Mali i Zi, Bosnja, Kroacia dhe Italia, tjetra nga Kosova, Serbia, Kroacia dhe Italia.
“Lindja e diellit”
Në fillim të prillit operacioni i përbashkët policor shqiptaro-italian çoi në sekuestrimin e një sasie prej më shumë se 1 ton, saktësisht 1215 kilogramë marijuanë në brigjet salentinase dhe arrestimin e 2 shqiptarëve dhe një person tjetër në masën e sigurisë i ndaluar. Droga kishte mbërritur në Itali nëpërmjet kanalit të Otrantos. Të arrestuarit ishin Arbresh Hazizaj, 23 vjeç, Almarind Brama, 26 vjeç dhe Gëzim Bircaj, 46 vjeç. Nëse droga do të shitej e tëra në treg, trafikantët do të arrinin të përfitonin 600 mijë euro. Nëse do të shitej pak nga pak, fitimi do të kapte shifrat e 1 milion eurove. Në kuadër të këtij operacioni, në Shqipëri u arrestuan 4 persona dhe u sekuestruan 215.5 kg lëndë narkotike. Lënda narkotike u kap në flagrancë rreth orës 23:00 të datës 1 prill 2010, në urën e lumit Vjosë. Droga do të dërgohej në Vlorë, më pas drejt Italisë. Në prangat e policisë përfunduan Eduart Kujtim Lushkaj, 20 vjeç, Eglivan Novruz Atija, 28 vjeç, Selami Hamet Lushkaj, 37 vjeç, të tre nga rrethi i Fierit, si dhe Andi Hysni Kurti, 41 vjeç banues në Tiranë
Të arrestuarit e djeshëm
Isuf Buna, i njohur me pseudonimin Lalushi
Shefqet Vata, i njohur me pseudonimin Çeti
Endrit Dokle ndodhet në burg për një tjetër akuzë
Jorid Zhungu, i njohur me pseudonimin Ruçi ose Ridi
Edmond Taullau, i njohur me pseudonimin Moke
Vito Biba, i njohur me pseudonimin Vehap
Eglantina Lulo, e njohur me pseudonimin Tina
Qafë-Morinë
Arrestohet kosovari i bandës së vjedhjeve në Gjermani
TIRANË - I kërkuar në Gjermani si anëtar i një bande hajdutësh të njerëzve të pasur, Policia e Kukësit ka vënë në pranga një kosovar. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit kanë bërë të ditur dje se, arrestimi i Ilir Kusarit është bërë në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Morinës në Tropojë. Siç është bërë e ditur, ai ishte shpallur në kërkim nga Interpol Tirana, pasi kishte marrë njoftimin nga homologët e Viesbaden. Këta të fundit kanë bërë të mundur arrestimin e shtetasit gjermano-kosovar Ilir Kusari, 36 vjeç, lindur në Gjakovë. Sipas të dhënave zyrtare, Gjykata e Koblenzit në Gjermani, në datën 22 mars 2010 ka lëshuar urdhër arrestin numër 30 gs 1972/10, për veprën penale të “vjedhjes në rrethana rënduese”, parashikuar nga neni 244 germa “a” i Kodit Penal Gjerman. Arrestimi i shtetasit Ilir Kusari është bërë në orën 12:30 të dy ditëve më parë në stacionin e Policisë Kufitare Qafë-Morinë. Nga dosja e sjellë në Shqipëri nga Interpoli gjerman është mësuar se i ndaluari, që nga viti 2009 akuzohet si anëtar i një bande prej të paktën shtatë personash, të cilët në mënyrë të vazhdueshme dhe periodike kanë kryer vjedhje pronash dhe biznesesh në shuma të mëdha. Nga të dhënat e uniformave blu gjermane është mësuar se ky grup ka operuar veç nga njeri-tjetri; disa merrnin pjesë në vjedhje, të tjerët merreshin me sigurimin dhe depozitimin e sendeve të vjedhura. Policia e Shtetit tha se arrestimi i Ilir Kusarit është bërë me qëllim ekstradimin e tij drejt Gjermanisë, pas përfundimit të procedurave. I arrestuari është sjellë në kryeqytet ku ndodhet në qelitë e Policisë së Tiranës.
Kontrollet
Armë dhe drogë, katër persona vihen në pranga
ELBASAN - Kapen armë dhe drogë në Elbasan. Burime nga policia lokale kanë bërë të ditur se gjatë kontrolleve të befasishme të ushtruara janë vënë në pranga katër persona, të cilëve u janë kapur armë, fishekë e Cannabis sativa. Policia e Elbasanit tha se ka vënë në pranga Ylli Muçën, 35 vjeç, lindur dhe banues ne fshatin Dushk-Belesh. Gjithashtu në pranga është vënë dhe Mersin Lika, 56 vjeç, lindur dhe banues në Peqin. Dy personat e mësipërm janë vënë në pranga pasi gjatë kontrolleve personale dhe në banesë u janë gjetur: 2500 (dymijë e pesëqind) fishekë, 2 armë zjarri (pushkë), tre krehra automatiku të mbushur me fishekë, dhjetë kapsolla detonatorë, një pistoletë, e llojit “Beretë” si dhe një armë zjarri automatik model 56. Gjatë ditës së djeshme në pranga janë vënë dhe dy të rinj, kushërinj mes tyre. Policia e Elbasanit tha se ka arrestuar Orest Hysën, 27 vjeç dhe Saimir Hysën po 27 vjeç, lindur dhe banues në Belsh. Atyre u janë kapur njëzet bimë të mbjella dhe 10 dhjetë gramë Cannabis sativa. Ndaj katër personave të lartpërmendur policia ka vënë menjëherë pranga dhe u është dhënë masa e sigurisë “arrest në burg”. Burimet zyrtare të Policisë së Elbasanit theksuan se kontrolle të tilla do të vazhdojnë dhe ditët në vazhdim, me qëllim parandalimin e krimeve të ndryshme.
Hetimet
Dyshime për viza false, ndalohen katër persona
POGRADEC - Falsifikimi i vizave dhe i dokumenteve të identitetit ka çuar në pranga katër persona nga Dibra. Ndalimi i tyre është bërë në qytetin e Korçës, gjatë një aksioni të policisë lokale. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Korçës thanë se kanë arrestuar ditën e djeshme katër persona për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve të identifikimit dhe të vizave. Të arrestuarit janë, Fiqiri Gjura, 49 vjeç, lindur e banues në fshatin Ushtelencë të Dibrës, si dhe e afërmja e tij 51-vjeçarja S. Gjura. Po ashtu policia ka arrestuar dhe Hamza Gjurën, 38 vjeç dhe Dritan Sinën, 32 vjeç, të dy lindur dhe banues në Hodoshisht të Dibrës. Nga të dhënat e marra nga uniformat blu, arrestimi i tyre është bërë pasi më datën dy ditë më parë, në Pikën e Kalimit Kufitar Tushemisht, gjatë kontrollit të dokumenteve të qytetarëve në dalje nga Republika e Shqipërisë, në pasaportat e tyre u gjetën viza pune greke, të cilat dyshohen se janë të falsifikuara. Pikërisht pas zbulimit të këtij rasti, policia ka nisur dhe hetimet për personat e dyshuar si bashkëpunëtorë të tyre. Dosja me materialet ndaj katër të arrestuarve mësohet se i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec.
17 Maj 2010