Moti i keq, plagoset rëndë i riu në Korçë, probleme në porte
Artan CENA
TIRANË - Moti i keq ka pushtuar dje Shqipërinë duke sjellë probleme të mëdha, sidomos në dy portet kryesore të vendit, atë të Durrësit dhe Vlorës. Për disa orë me radhë disa tragete nuk kanë mundur që të ankorohen në mol, pasi deti, që ishte me fuqi deri në 8 ballë, nuk e ka lejuar diçka të tillë. Ndërkohë, era e fortë në qytetin e Korçës ka shkëputur një pjesë betoni në tarracën e një pallati dhe ka aksidentuar rëndë një të ri. Deti, që kishte një fuqi të madhe, ka detyruar kapitenerinë e Pportit të Durrësit që të urdhërojë peshkarexhat të mos dalin në det. Tragetit “Arbëria” i janë dashur më shumë se 3 orë që të ankorohet në port. Po ashtu, në Vlorë moti i keq ka shkaktuar probleme për pasagjerët që udhëtonin me tragetet e linjës Vlorë-Brindisi. Si pasojë e erës së fortë tragetet e kanë pasur të pamundur të ankorohen në port duke bllokuar në bord më shumë se 129 pasagjerë.
Korçë
Shembja e suvasë se një pallati në qytetin e Korçës ka plagosur rëndë një 27-vjeçar. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së premtes, fare pranë qendrës së qytetit. Erjon Merkuri, ish-efektiv policie, po kalonte në rruge kur një masiv suvaje është shkëputur nga ballkoni i pallatit. Për pasojë, i riu ka marrë plagë të rënda në koke. Ai është dërguar me urgjencë në Spitalin e Korçës dhe më pas është nisur në Spitalin Ushtarak, në gjendje kritike për jetën. Policia ka rrethuar zonën ku ndodhi aksidenti dhe ka ndaluar lëvizjen e personave të tjerë, deri në përfundimin e hetimeve.
Durrës
Puna në portin më të madh të vendit, atë të Durrësit, është pezulluar totalisht në të gjithë sektorët gjatë paradites së djeshme. Si pasojë e motit të keq asnjë anije apo traget nuk po del në det të hapur. Forca goditëse e dallgëve të detit ka arritur të jetë deri në 8 ballë, ndihmuar kjo edhe nga era e fortë. Burime pranë Kapitenerisë së Portit bëjnë të ditur dy tragete nga Bari nuk kanë mbërritur në port sipas orës së përcaktuar, duke anuluar udhëtimet për ditën e djeshme. Ndërsa, situata më e rëndë paraqitet në sektorin e peshkimit, ku peshkarexhat rrezikojnë të përplasen me njëra-tjetrën për shkak të kushteve të papërshtatshme në të cilat ndodhen. Si pasojë e kësaj situate, një anije mallrash me ekuipazh ka dalë në cekëtinë, në afërsi të vendit të quajtur “Apolonia” në Plazhin e Durrësit. Shkak është bërë shkëputja e spirancës e anijes tregtare “Emelia”, gjatë kohës që anija ishte e ankoruar në radë. Një tjetër skaf është mbytur fare pranë vendit ku ndodhet anija tregtare, çka ka detyruar forcat e kapitenerisë të ndërhyjnë për nxjerrjen e saj.
Vlorë
Furtuna ka shkaktuar dëmtime në rrjetin elektrik duke lënë pa drita një pjesë të qytetit të Vlorës. Kapiteneria e Portit të Vlorës ka urdhëruar peshkarexhat të mos dalin në det, ndërsa trageti "Red Star", i linjës detare Brindisi-Vlorë, ka lundruar ditën e djeshme në itinerarin e kthimit drejt portit italian në orët e mesditës. Trageti i linjës detare Brindisi-Vlorë arriti të ankorohet me vështirësi në kalatat e portit ku më pas ka kaluar në proces përpunimi. Kushtet e motit kanë qenë të këqija për disa orë, ndërsa një përmirësim i vogël është vërejtur në orët e pasdites. Por, gjithsesi, reshjet e përkohshme dhe era e fortë ka dominuar gjatë gjithë ditës së djeshme. Situata është paraqitur problematike edhe brenda në qytetin e Vlorës. Si pasojë e reshjeve, shumë rrugë janë përmbytur duke shkaktuar probleme në qarkullimin e automjeteve.
Shtrëngata shiu dhe në Gjirokastër
Shtrëngata të forta shiu kanë mbizotëruar zonat e Jugut qysh në orët e para të ditës, por pa shkaktuar probleme në qarkullimin e mjeteve apo bllokimin e akseve rrugore kombëtare e dytësore. Situata është rënduar duke u shoqëruar edhe nga shtrëngata shiu, erëra të forta dhe ulje disa gradë të temperaturave. Policia thotë se, për fat të mirë, deri tani nuk është shënuar asnjë aksident në rrugën kombëtare Kakavijë-Ballsh.
Kërkohej si e zhdukur, gjendet e mbytur nëna e 3 fëmijëve
ELBASAN - Një grua 46-vjeçare është gjetur e mbytur në ujërat e lumit Shkumbin. Trupi i pajetë është gjetur gjatë ditës së djeshme. Kufoma është parë nga banorët e lagjes periferike të Elbasanit, të cilët menjëherë kanë lajmëruar policinë. Këta të fundit kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur punën për nxjerrjen e trupit të pajetë nga uji. Pas nxjerrjes nga lumi, forcat policore dhe një grup ekspertësh që ishin aty kanë bërë të mundur dhe identifikimin e viktimës. Burimet policore kanë bërë të ditur se ajo ishte shtetasja Fatmira Caka, nënë e 3 fëmijëve. Kjo e fundit prej ditësh ishte larguar nga shtëpia. Denoncimi kishte ardhur nga familjarët e saj dhe policia e kishte shpallur në kërkim. Për gjetjen e saj ishin bërë kontrolle të shumta dhe ishte kërkuar dhe ndihma e kolegëve rajonalë. Por trupi i saj është gjetur ditën e djeshme i pajetë në lumin Shkumbin, në Elbasan. Nga dëshmitë e marra nga familjarët e viktimës, gruaja vuante nga skleroza. Nga hetimet e para të që ka bërë policia dyshohet që 46-vjeçarja të jetë mbytur aksidentalisht. Gjithsesi uniformat blu thanë se, do të bëjnë veprime hetimore deri në zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Kapen tre të rinj me drogë te “Uzina e vjetër”
KORÇË - Një aksion antidrogë ka çuar në pranga tre persona në qytetin e Korçës. Burime zyrtare nga policia lokale kanë bërë të ditur se ditën e djeshme, në orën 15:00, nga efektivët e Seksionit Kundër Narkotikeve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Korçë, ka përfunduar operacioni i koduar “Uzina e vjetër”. Gjatë këtij aksioni është bërë i mundur arrestimi në flagrancë për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike” në bashkëpunim, i 20-vjeçarit T. Rushi. Gjithashtu në pranga janë vënë dhe Jani Zgorani, 27 vjeç dhe Arben Bardhollari, 38 vjeç. Burimet e Policisë së Korçës thanë se aksioni nga uniformat blu është bërë te uzina mekanike në Lagjen 17 të qytetit të Korçës. Aty është bërë ndërhyrja dhe kapja e personave të mësipërm ku dhe janë sekuestruar provat materiale. Kështu, policia ka bllokuar 1 kilogram 141.8 gramë lëndë narkotike të llojit Cannabis sativa dhe 2.2 gramë lëndë narkotike të llojit heroinë. Pas arrestimit të tyre, dosja me materiale i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për hetime të tjera.
Aksidenti, një person i vdekur, një tjetër i plagosur
TIRANË - Një i vdekur dhe një i plagosur është bilanci i një aksidenti rrugor të ndodhur pasditen e djeshme në Tiranë. Viktima është 75-vjeçarja Bihana Ruci, ndërsa i plagosur rëndë në spital ndodhet një i afërm i saj, Halit Drixhi, 65 vjeç. Aksidenti ndodhi orët e pasdites në rrugën e Porcelanit, kur dy të aksidentuarit kalonin nga njëra anë e rrugës në tjetrën. Ata janë përplasur nga një motor në të cilin udhëtonin dy persona. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë, të cilët sqarojnë se motori është përplasur fillimisht me një makinë tip “Benz” dhe më pas ka aksidentuar dy të moshuarit. Nga kjo përplasje 75-vjeçarja Bihana Ruci ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Ndërkohë blutë e Tiranës kanë bërë të mundur shoqërimin në polici të drejtuesit të motorit dhe të makinës, si dhe është duke hetuar për shkaqet e ngjarjes.
Vdes në aksident shqiptari, 4 të tjerë në gjendje të rëndë
TERNI - Një shqiptar 22-vjeçar ka ndërruar jetë si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur ditën e djeshme në Terni, Itali. Në këtë ngjarje kanë ngelur të plagosur rëndë dhe katër të rinj të tjerë, po shqiptarë. Viktima dhe të plagosurit ishin duke udhëtuar së bashku. Burime nga Policia italiane kanë bërë të ditur se ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në autostradën që lidh Ternin dhe Orten. Përplasja ka ndodhur në zonën e quajtur San Liberato, në komunën e Narnit. Katër emigrantët shqiptarë ishin duke udhëtuar me një makinë të llojit “Renalut”, në drejtim të Orte-s, kur për shkaqe ende të panjohura në një kthesë janë përplasur tragjikisht. Ata kanë dalë jashtë rruge duke përfunduar në një humnerë. Policia e Amelias ka bërë të ditur se është duke hetuar shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë.
17 Maj 2010