E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN: Shqipëria, masa urgjente për uljen e deficitit buxhetor



Ervin KOÇI

Shqipëria është një nga vendet që duhet të marrë masa urgjente për të ulur deficitin buxhetor. Kjo kërkesë është bërë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili ka lëshuar alarmin se vendet në zhvillim në mënyrë urgjente duhet të marrin masa për uljen e deficitit buxhetor. Ekspertët thanë se në qoftë se qeveritë nuk do të reagojnë, atëherë rimëkëmbja ekonomike si pasojë e krizës së rëndë financiare gjatë viteve 2008-2009 do të jetë shumë e vështirë. Në rast se do të vazhdohet me këto politika, atëherë, deri në 2015-n treguesit mesatarë të borxhit mund të arrijnë deri në 110% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në një kohë që vendet rimëkëmben në mënyrë graduale, duhet të merren masa që rritja e deficitit dhe borxhit të mos shkaktojë probleme financiare. Alarmi i Fondit Monetar vjen në një kohë që tregjet financiare në Europë dhe euroja ndodhen në një gjendje të vështirë. Një ditë më parë bursat shënuan një rënie me mbi 4%, në një kohë që euroja shënoi nivelin më të ulët të këmbimit në 18 muaj, duke arritur në 1.24 dollarë. Si pasojë e problemeve ekonomike me të cilat përballen Greqia, Portugalia dhe Spanja, bursa në Londër ra me 3.1%, ajo në Spanjë me 6.6%, “CAC” në Francë me 4.6% dhe “Daxi” gjerman me 3.1%. Kjo situatë u pasqyrua edhe në tregjet amerikane ku indeksi i Dau Xhons u zhvlerësua me 1.5%. Shumë analistë shpjegojnë se kjo situatë do të detyrojë vendet e bllokut europian të marrin masa për stabilizimin e ekonomive.

Marrja e borxhit
Sapo ka nisur të përmirësohet disi situata në bursat euriopiane, Ministria e Financave ka nisur përgatitjet për marrjen e borxhit në tregun ndërkombëtare. Qeveria e kishte shtyrë për një afat të pacaktuar marrjen e borxhit në tregun ndërkombëtar për shkak të situatës së vështirë në tregjet financiare të Europës. Por MF-ja po shpreson që ta marrë borxhin brenda këtij muaji, më saktësisht para datës 28 maj, për të shlyer përfundimisht kredinë e shtrenjtë që u mor vjet për rrugën Durrës-Kukës. Marrëveshja e qeverisë për këtë çështje është nënshkruar me dy bankat e mandatuara për eurobondin, “GP Morgan” dhe “Deutsche Bank”. Në marrëveshje është përcaktuar si interes i synuar për letrat me vlerë niveli 7.5 për qind, ndërsa afati i maturimit do të jetë 5 vjet. Në rast se qeveria nuk do të arrijë të emetojë eurobondet brenda këtij muaji, atëherë do të jetë e detyruar të paguajë edhe për 6 muaj të tjera, interesat e larta të kredisë 192 milionë euro që mori nga dy bankat private vitin e kaluar, “Alfa Bank” dhe “Deutsche Bank”. Aktualisht interesi për këtë kredi është rreth 11 për qind. Shqipëria paguan nga buxheti rreth 20 milionë euro në vit interesa për këtë hua, dhe një shtyrje e detyruar prej 6 muajsh do të ketë një kosto të përafërt me 10 milionë euro për buxhetin. Sakaq, tregjet financiare mbeten ende të pasigurta edhe pas arritjes së marrëveshjes nga BE dhe FMN për të ndërhyrë me një paketë shpëtimi 750 miliardë euro.

Kursi
Monedha e përbashkët europiane pësoi një rënie tjetër dramatike në tregun ndërkombëtar dje, duke shënuar kuotën më të ulët në 18 muaj kundrejt dollarit amerikan. Por në tregun e brendshëm shqiptar, ky ndryshim u pasqyrua vetëm me rritje të dollarit kundrejt lekut dhe jo më me rënie të euros. Euroja humbi dje 0.5 për qind dhe ra në 1.2449 dollarë, niveli më i ulët që nga nëntori 2008, sipas të dhënave të “Financial Times”. Shkaku i rënies së euros ishte vendimi i Bankës Qendrore Europiane për të përdorur politikën e Lehtësimit. Sasior përmes blerjes së bondeve të qeverive anëtare në Eurozonë. Kjo është një politikë e konsideruar si varianti elektronik i shtypjes së parasë së re. Kjo do të thotë se bondet e Greqisë mund të dorëzohen në BQE përkundrejt shtesës monetare. Në Tiranë, euro qëndroi e pandryshuar kundrejt lekut në kuotën 136.29. Dollari fitoi 1.08 lekë të tjera dhe u rrit në 109,29. Dollari nuk ka qenë kaq i shtrenjtë kundrejt lekut që nga viti 2002. Në total, leku humbi vlerë kundrejt dy valutave kryesore. Gjatë ditëve të fundit, ndryshimet në tregun ndërkombëtar qenë pasqyruar në Tiranë pjesërisht me rritje të dollarit dhe pjesërisht me rënie të euros. Kjo gjë nuk ka ndodhur më që nga e mërkura. Shqipëria paguan në dollarë rreth 20 për qind të importeve të veta, veçanërisht naftën e lëndët e ndërtimit. Forcimi i dollarit ka filluar sakaq të japë ndikim edhe te çmimi i naftës.

Sezoni veror, rriten çmimet për pushimet jashtë vendit

Shqiptarët duhet të maten mirë këtë verë për të planifikuar pushimet e tyre, sidomos nëse do të vendosin t’i kalojnë jashtë vendit. Operatorët turistikë deklarojnë se paketat turistike këtë verë janë më të shtrenjta se më parë, ndërkohë që edhe çmimet që ofron turizmi shqiptar janë më të shtrenjta se në vendet e tjera të rajonit. Operatorët turistikë kërkojnë qeverisë që tatimi i vlerës së shtuar të ulet nga 20% në 8% për sektorin e hoteleve dhe restoranteve. Ndërsa niveli i taksës lokale të çmimit të fjetjes nga bashkitë dhe komunat nga 5 të shkojë në 0.5 deri në 1%. Gjatë një konference për shtyp, drejtues të shoqatës u shprehen se një nisëm e tillë do t’i jepte një frymëmarrje edhe më të madhe industrisë së turizmit dhe do të ndikonte në rritjen e konkurrueshmërisë. Aktualisht taksa për dhomë në Turqi është 8%, në Greqi 9% ndërsa në Mal të Zi 7%, ndërkohë që në Shqipëri është 20%, çka do të thotë 150% më e lartë. Ministria e Turizmit ka filluar ngritjen e Zyrave të Kujdesit për turistet vendas dhe të huaj pranë zonave turistike.

Tuneli i Kalimashit hapet në datën 21 maj, afati u shty me një javë

Tuneli i Kalimashit do të hapet javën tjetër, ku sipas premtimeve të Ministrisë së Transporteve, do të jetë data 21 maj dita kur në këtë aks do të rinisë qarkullimi i mjeteve. Ndryshe nga sa ishte parashikuar dhe premtuar për në datën 15 maj, tuneli do të hapet plot një javë me vonesë. Asfaltimi gati ka mbaruar, ndërsa disa specialistë italianë janë në fazën e fundit të lyerjes. Elektricistët, nga ana e tyre, po montojnë edhe llambat e fundit dhe kamerat, ndërsa specialistë të tjerë po merren me sinjalistikën. Ndërkohë, zjarrfikësit që do të mbikëqyrin trafikun në tunel po trajnohen në Kukës prej shumë ditësh për të qenë gati të premten e javës tjetër. Në stinën turistike mijëra kosovarë kanë udhëtuar drejt bregdetit duke kaluar nga Maqedonia, ndërsa çdo lidhje tjetër ka qenë thjesht virtuale, përjashtuar rajonet e varfra kufitare. Gjatë gjithë vitit, Dogana e Morinit mund të arrinte të regjistronte shkëmbime mallrash ndoshta pak më shumë se sa mund të regjistrohej brenda një dite të vetme në Kakavijë apo në Vlorë.

Nga Patos-Marinza u eksportuan këtë vit 35 milionë dollarë naftë

Rritja e prodhimit, si dhe çmimi shumë më i lartë këtë vit, bëri që të ardhurat e realizuara nga burimi minerar i Patos-Marinzës të arrijnë në 35 milionë dollarë gjatë tremujorit të parë të këtij viti, nga vetëm 13 milionë dollarë që qenë vitin e kaluar. Prodhimi mesatar ditor arriti në 8282 fuçi, (afërsisht 1400 tonë) ndërkohë që vitin e kaluar prodhimi pati qenë 7234 fuçi në ditë. Në të njëjtën kohë, çmimi i naftës shqiptare u rrit pothuajse dyfish nga 24.73 dollarë për fuçi në 47.16 dollarë. Qeveria shqiptare përmes “Albpetrol” fitoi këtë vit mesatarisht 9.65 dollarë për fuçi nga e drejta e shfrytëzimit që i është dhënë një kompanie private për nxjerrjen e naftës. Në tremujorin e parë të vitit 2009, të ardhurat e qeverisë patën qenë 6.61 dollarë për fuçi. Shumica dërrmuese e naftës së nxjerrë në zonën e Patos-Marinzës u eksportua për në rafineritë italiane përmes Portit të Vlorës. Vetëm në prill rifilloi furnizimi i rafinerisë së Ballshit me naftë bruto vendëse. Problemi me vendburimet e naftës së rëndë është se kostoja e nxjerrjes së saj është shumë më e madhe se sa nafta e burimeve të tjera, cilësia e naftës është e keqe dhe investimi shumë i lartë.

Interesat bankare
Përditësimi i fundit: 14.05.2010
Interesat në tregun ndërbankar të parasë
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 4.48%
12M 12-mujor 7.13%
6M 6-mujor 6.16%
3M 3-mujor 5.36%
1M 1-mujor 5.08%
1Ë njëjavor 4.91%
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
1M 1-mujor 6.64%
1Ë njëjavor 6.34%
o/n njëditor 6.16%
12M 12-mujor 8.79%
6M 6-mujor 7.81%
3M 3-mujor 7.00%

17 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›