E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbardhet misteri i vrasjes në Berat, vetëdorëzohet autori

54-vjeçari që u gjet i vdekur dy ditë më parë, ka humbur jetën aksidentalisht. Ai është qëlluar nga shoku i tij, me të cilin kishin dalë për gjueti

Vetëm pas dorëzimit të shokut të gjuetisë, policia ka mundur të zbardhë detajet e vrasjes së Namik Balliut, i cili u gjet i vdekur dy ditë më parë pasi ishte larguar për gjueti dhe kishte humbur pa lënë kontakt. Fillimisht ishin familjarët që denoncuan në polici humbjen dhe më pas u gjet trupi i pajetë, por pa të dhëna mbi arsyet e vrasjes. Policia tha dy ditë më parë se mund të kishim të bënim me një vetëvrasje aksidentale, por nuk u përjashtua as mundësia e vrasjes, por rrethanat dhe motivet ishin të panjohura deri sa Viktor Kaza që ishte edhe shok gjuetie me Balliun, u vetëdorëzua.

Ngjarja

Dy persona shokë me njëri-tjetrin, kishin dalë dy ditë më parë për gjah në komunën Terpan të Beratit, por udhëtimi i tyre ka përfunduar në tragjedi. Njëri prej tyre ka mbetur i vdekur, pasi është qëlluar aksidentalisht nga shoku tjetër në një nga momentet e gjuetisë. Policia tha se po hetohet për të zbardhur dinamikën e ngjarjes, por dyshohet se ka qenë një shkrepje e pavullnetshme e armës që ka sjellë edhe incidentin dhe vdekjen e 54-vjeçarit. I trembur në momentin e ngjarjes, Kaza duket se ka vendosur fillimisht ta fshehë atë, por është penduar shpejt dhe është dorëzuar në polici duke shpjeguar edhe versionin e tij për ngjarjen.

Hetimet

Policia e gjeti Balliun, 54 vjeç, nga fshati Vokopolë i Beratit, dy ditë më parë të pajetë, pas denoncimit të familjarëve. Ajo çka zbuluan menjëherë agjentët ishte fakti se ai kishte humbur jetën nga një plagë e marrë prej një arme gjahu. Pas hetimeve paraprake të policisë u mendua se 54-vjeçari nuk ishte vrarë, por ishte vetëvrarë aksidentalisht si pasojë e një shkrepjeje të pavullnetshme të armës. Mirëpo duket se më tej është sqaruar se nuk bëhej fjalë për të njëjtën armë, ndërsa dorëzimi dhe rrëfimi i shokut të gjuetisë ka sqaruar ngjarjen. Policia edhe pse ka marrë si të mirëqenë deklaratën e të dorëzuarit, pohon se ende vazhdojnë hetimet për të zbardhur dinamikën e ngjarjes dhe vërtetuar nëse ajo ka qenë aksidentale siç pohon i dorëzuari, apo kemi të bëjmë me krim të paramenduar.

Rastet

3 vdekje në gjueti vetëm në dy muaj

Vetëm gjatë dy muajve të fundit, tre persona kanë humbur jetën në gjueti në mënyrë aksidentale. Dy raste ishin vetëvrasje nga pakujdesia dhe shkrepja e pavullnetshme e armës së gjahut, që ndodhën në zonën e Shkodrës. Aksidentet ndërkohë duket se vijnë nga pakujdesia, edhe pse në një nga vetëvrasjet kishim të bënim me gjuetar me eksperiencë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›