E Diel, 1 Nëntor 2026

Varfëria, nëna braktis dy fëmijët e mitur

ELBASAN/ Pas ndarjes së çiftit fëmijët i ishin lënë në kujdestari nënës, e cila është larguar në drejtim të paditur

E vetmja shpresë tashmë kanë mbetur gjyshërit pasi as babai nuk duket se do të pranojë të mbajë pasardhësit e tij

ELBASAN - Pak kohë më parë ishte ndarë nga bashkëshorti dhe gjykata kishte vendosur t'i linte në ngarkim fëmijët e mitur, përkatësisht 5 dhe 7 vjeç.


Por dje, 31-vjeçarja është denoncuar nga ish-bashkëshorti se është larguar nga shtëpia duke braktisur fëmijët dhe duke i lënë në mëshirë të fatit.


Ngjarja ka ndodhur në fshatin Rrenas të komunës Grekan në Elbasan, ndërsa policia është vënë në ndjekje të gruas, e cila është larguar në drejtim të paditur.


Ndërkohë, bëhet e ditur se shkak për braktisjen mund të jetë bërë edhe gjendja e rëndë ekonomike në të cilën ndodhej gruaja, e cila nuk mund t'i mbante fëmijët.

Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se ka filluar çështja penale në ngarkim të 31-vjeçares Donika Menkshi për braktisjen e dy fëmijëve të mitur për të cilët kishte edhe kujdestarinë.


Çifti i është drejtuar gjykatës pak kohë më parë për ndarje. Gjykata ka prishur martesën dhe dy fëmijët ia ka lënë në kujdestari nënës.


Kur 37-vjeçari Behar Muça ka shkuar në shtëpinë e prindërve të ish-bashkëshortes nuk e ka gjetur atë aty, pasi gruaja ishte larguar pa lënë adresë.

Babai i dy fëmijëve, i gjendur përballë këtij fakti dhe vështirësive për t'i mbajtur vetë, ka vendosur të bëjë kallëzimin ndaj ish-bashkëshortes.


Dy fëmijët 5 dhe 7 vjeç janë edhe topi i futbollit i kësaj ndarjeje. Ata rrezikojnë të mbeten pa të dy prindërit pasi asnjëri prej tyre nuk dëshiron të kujdeset për ta. Nëse nuk do të ndërhyjnë gjyshërit, atëherë dy të vegjëlit rrezikojnë të përfundojnë në jetimore e të jepen për birësim.

Një ndër shkaqet e krijimit të kësaj situate dhe që solli edhe çarjen e martesës mes dy personave ka qenë edhe situata e vështirë ekonomike.


Babai i dy fëmijëve jeton me paratë që merr në emigracion me hope, ndërsa tani është kthyer dhe po kujdeset për tokën, duke qenë se në Greqi nuk gjente më punë.

Të njëjtën situatë vuajnë edhe gjyshërit e nipërve të vegjël të cilët mbahen me ato pak para që u dërgojnë fëmijët dhe me pensionin e kooperativës.


Ky është i katërti rast kur babai ka depozituar kallëzim në komisariat për braktisje të fëmijëve nga nëna. Në disa prej rasteve ka rezultuar se gruaja është larguar nga shtëpia për shkak të dhunës apo konflikteve me bashkëshortin duke lënë në shtëpi fëmijët, viktimat më të pafajshme të situatave të vështira familjare.


--------------------------------------------------------------------

E mitura i vjedh paratë njerkut


ELBASAN- Një 14-vjeçare është bërë protagoniste në një ngjarjeje mjaft të pazakontë.


Ndoshta për tërhequr vëmendjen dhe për të mërzitur njerkun e saj, ajo ka marrë nga shtëpia 400 mijë lekë dhe është larguar. Nëna e saj dhe njerku janë vënë në kërkim të së miturës dhe kanë kërkuar ndërhyrjen e policisë për ta gjetur.

Kërkimet kanë sjellë gjetjen e vajzës, ndërsa gjysma e parave janë zhdukur pa gjurmë. Mësohet se në çantë ajo kishte 200 mijë lekë dhe disa sende e bizhuteri me vlerë.

E mitura është kthyer pranë familjes dhe pritet të merret në pyetje me pjesëmarrjen e psikologut për arsyen e veprimit të ulët. Megjithëse procedimi penal ndaj saj ka nisur për vjedhje, fëmija do t'i shpëtojë për shkak të moshës së vogël. Ende nuk është mësuar fundi i parave të tjera, të cilat dyshohet se ajo i ka fshehur.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›