E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhdukja e Ismet Kryeziut,Prokuroria fillon hetimin

 

Trazhgim Sokolaj

Prokuroria e Tiranës regjistroi dje procedimin penal që bën fjalë për humbjen pa adresë të shtetasit kosovar Ismet Kryeziu, i konsideruar si ish-eksponent i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Burime zyrtare nga organi i akuzës, konfirmuan dje se një linjën e hetimit nr.1 në Prokurorinë e Tiranës, u regjistrua dosja penale e hapur pas denoncimit të Albana Kryeziut, e cila të dielën e javës që shkoi, lajmëroi në polici zhdukjen e bashkëshortit të saj. Sipas të dhënave të deritanishme, 54-vjeçari nga Kosova kishte ardhur për çështje familjare në Tiranë së bashku me të shoqen dhe po qëndronte tek vjehrri i tij në Allias. Ish-eksponenti i UÇK-së, Ismet Kryeziu, i konsideruar edhe si mik i Remzi Hoxhës (i zhdukur në vitin 1995), ka dalë nga banesa të dielën e javës që shkoi dhe nuk është kthyer më. Dy personat me të cilët, sipas denoncimit të bërë në polici, Ismet Kryeziu kishte thënë se do të takohej kur iku nga shtëpia dhe nuk u kthye më ishin Adem Shehu dhe Dilaver Goxhaj. Të dy personat e përmendur janë thirrur në polici dhe janë marrë në pyetje por kanë mohuar të ishin takuar me të zhdukurin Ismet Kryeziu. Nga ana tjetër, policia nuk ka vënë re të dhëna të dyshimta në telefonatat e 54-vjeçarit nga Kosova ndërsa është verifikuar se ai nuk ka dalë nga Shqipëria, të paktën përmes pikave të kalimit kufitar. Prokuroria e Tiranës, e cila ka bërë vlerësimin e provave dhe fakteve të grumbulluara në një javë nga policia, tha dje se ende nuk ka marrë një vendim për klasifikimin ligjor të ngjarjes. “Nuk ekzistojnë ende prova të forta për ta konsideruar ngjarjen zhdukje apo rrëmbim”, thanë burimet nga prokuroria, sipas të cilave po hetohet në të gjitha pistat edhe pse nga të dhënat e deritanishme, rezulton se bëhet fjalë për largim nga banesa të Ismet Kryeziut. Sipas Prokurorisë së kryeqytetit, mësohet se strukturat e policisë janë porositur të bëjnë veprime konkrete hetimore, që nuk mund të bëhen publikisht të ditura, me qëllim zbulimin e asaj çfarë ka ndodhur me Ismet Kryeziun. Agjentët e policisë janë duke verifikuar edhe aktivitetin e tij kohët e fundit, si dhe në të shkuarën, ndërsa kanë marrë në pyetje persona të ndryshëm që mund të kenë parë lëvizjet e të zhdukurit në lagjen ku ndodhet banesa ku qëndronte Kryeziu, derisa u zhduk pa gjurmë. Policia shqiptare ndërkaq është duke bashkëpunuar me Shërbimin Policor të Kosovës, pas disa të dhënave se Ismet Kryeziu kishte detyrime financiare tek disa persona në Prishtinë. Sipas të dhënave të administruara nga policia në dosjen penale, bëhet fjalë për detyrime financiare të pa shlyera nga Ismet Kryeziu, të cilat nuk ishin dorëzuar në kohë prej tij. Për këtë shkak, mësohet se i zhdukuri kishte kërkuar ndihmë nga disa miq të tij në Tiranë, për të zgjidhur qoftë edhe përkohësisht çështjen e borxhit që kishte tek disa persona në Prishtinë.     

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›