"Një anëtar, një votë", miratohet në Kuvend
31/03/2005 Në statutin e Partisë Demokratike do të përfshihet dhe parimi „një anëtar, një votë“ për zgjedhjet e strukturave drejtuese të partisë. Burime në këtë parti shprehen se ndryshimet që do të prezantohen në Kuvendin Kombëtar të PD-së që do të mbahen në datat 22 dhe 23 prill, do të bëjnë të mundur implementimin e parimit "një anëtar, një votë". Në bazë të këtij parimi, i jepet mundësia gjithë anëtarësisë së PD-së të votojë për zgjedhjen e strukturave drejtuese të partisë, si dhe të kryetarit të saj. Deri më tani ishin forumet si Kuvendi Kombëtar apo Këshilli Kombëtar i PD-së, ata që kishin të drejtën e zgjedhjes së strukturave drejtuese të partisë dhe kryetarit, ndërsa parimi në fjalë ka një rol gjithëpërfshirës. Gjithsesi, ky parim do të vlejë kur të votohet në të ardhmen për lidershpin e PD-së, pasi deri në zhvillimet e Kuvendit Kombëtar, ku do të votohet kryetari i partisë, do të vazhdohet me statutin aktual.