Trafikimi i pistoletave, kërkohet "arrest në burg"
TIRANE - Gjykata e Krimeve të Rënda do shqyrtojë sot kërkesën për vendosje të masës së sigurisë për dy të arrestuarit e operacionit policor të koduar "Stazhieri". Kështu, paraditen e sotme do të dalin para togave të zeza 44-vjeçari, Kujtim Laçi dhe 39-vjeçari Afrim Stafuka, banorë të Fushë-Krujës, që u arrestuan teksa tentuan të trafikonin 6 copë pistoleta mini-zastava, të kalibrit 6.6 milimetër. Operacioni "Stazhieri" u organizua katër ditë më parë nga Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë për Krime të Rënda dhe Policinë e Durrësit. Burime pranë hetimit të çështjes pohojnë se, policia kishte siguruar më parë informacion mbi veprimtarinë e paligjshme që kryenin dy të arrestuarit. Ky informacion kishte mbërritur në prokurori prej disa muajsh dhe në bazë të tij togat e zeza kishin lejuar përgjimin e të arrestuarve, të cilët nëpërmjet bisedave telefonike kishin organizuar trafikun, si dhe në bazë të bisedave efektivët e antikrimit mundën t'i kapnin në flagrancë. Ndërkohë, pas arrestimit të tyre policia ka ushtruar kontrolle nëpër banesa, ku në atë të Laçit u gjetën dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale rreth 200 gramë lëndë narkotike e dyshuar e llojit kokainë. Ndërsa më tej policia sekuestroi edhe dy automjete, njëri tip "Fiat" e tjetri tip "Audi", tre palë targa false që përdoreshin nga këta shtetas, si dhe tre aparate celularë. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar paraprakisht vendosjen e masës së sigurisë "burg pa afat" për dy të pandehurit Laçi dhe Stafuka, nën akuzat e "trafik armësh e municionesh luftarake e kryer në bashkëpunim", si dhe "prodhim e shitje të lëndëve narkotike". fa.ma.