Trafikoi 12 kile hashash, 7 vite burg
TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda, dy ditë më parë vendosi në aplikim të gjykimit të shkurtuar dënimin me 7 vjet burg për të pandehurin 41- vjeçar Kosta Gjini, për akuzën e "trafikut të lëndëve narkotike" të mbetur në tentativë në bashkëpunim. Sipas togave të zeza, i pandehuri Gjini më 25 janar 2009 po udhëtonte drejt Greqisë në linjën e autobusit Tiranë - Athinë bashkë me valixhen të mbushur me 12 kg hashash. Në momentin që autobusi i tipit "Neoplan" me targa TR 2836 L ka hyrë në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës së Gjirokastrës, policia me ndihmën e qenit të kufirit ka zbuluar çantën me hashash.
Asnjë nga 34 pasagjerët nuk ka pranuar se çanta është e tij, duke i shoqëruar të gjithë në Komisariat, ku pas marrjes në pyetje policia ka zbuluar se droga ishte e shtetasit Kosta Gjini, i cili u arrestua menjëherë mesditën e datës 25 janar 2009. Ndërkohë, edhe prokurori i çështjes Ardian Nezha, gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare kërkoi nga gjykata dënimin e tij me 11 vjet burg që në aplikim të gjykimit të shkurtuar përfundimisht të dënohet me 7 vite heqje lirie. Ndërsa, avokati mbrojtës ka kërkuar një masë më të butë dënimi, kurse vetë i pandehuri i kërkoi togave të zeza mëshirë.