E Diel, 1 Nëntor 2026

22 fëmijët e qendrës së Poliçanit do të japin provimet për të mos humbur vitin shkollor


Fëmijët e ngujuar, në shkollë me policë


SHKODËR - Fëmijët e ngujuar të cilët kanë qenë të strehuar në qendrën e Poliçanit, nuk do ta humbasin vitin shkollor. Janë 22 fëmijë që kanë qenë në këtë qendër dhe janë larguar prej andej për arsyet e bëra publike, të cilët rrezikonin të humbisnin vitin shkollor. Sipas Liljana Luanit, drejtuese e shoqatës për ndihmën e fëmijëve të ngujuar, pas shumë përpjekjesh dhe angazhimesh të drejtorisë arsimore në Shkodër dhe deputetëve shkodranë, është bërë e mundur që Ministria e Arsimit të lejojë marrjen në provim të këtyre fëmijëve, ku sipas Luanit dy prej tyre janë paraqitur dje në provimin e lirimit në klasën e IX, P.N në shkollën "Pashko Vasa "dhe K.N në shkollën "Skënderbej".


Ata janë shoqëruar me policë në shkollat përkatëse, të cilët kanë qëndruar aty deri në përfundimin e provimit, për t'i shoqëruar përsëri në banesat e tyre. Ndërsa për 20 fëmijët e tjerë që janë të shpërndarë nëpër fshatra të ndryshme të Shkodrës, është menduar që të japin provime lëndore në një datë të caktuar nga MASH-i në shkollat që kanë më afër. Kështu do t'iu jepet mundësia që të mos e humbin këtë vit shkollor, gjysmën e të cilit kanë bërë mësim të rregullt në Poliçan. Sipas drejtoreshës së arsimit në Shkodër, Atrida Ferketi, data që do të caktohet për këta fëmijë do të jetë e njëjtë për të gjithë dhe komisionet lëndore sipas klasave do të marrin në testim njohuritë e tyre, në mënyrë që t'u njihet viti shkollor.


Për lëvizjen e tyre do të jetë në gatishmëri Policia e Shtetit, ndërsa data e marrjes në provim të këtyre 20 fëmijëve nuk bëhet publike. Sipas Ferketit, dokumentacioni përkatës për secilin prej këtyre fëmijëve është dërguar në MASH, kështu që janë marrë masa që gjithçka të jetë në rregull dhe komisionet lëndore sipas klasave që do të testojnë njohuritë e këtyre fëmijëve. Ndërsa Liljana Luani, përfaqësuese e shoqatës, shton se dita e caktuar do të jetë e njëjtë për të gjithë, pasi ata jetojnë në zona të shpërndara gjeografisht: në Shkodër e Tropojë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›