Prokuroria: Ballës i rrahën gruan dhe nënën
HETIMET/ Familjarët e autorit kanë deklaruar para oficerëve se 45-vjeçari ishte keqtrajtuar nga gjashtë vetë
Rezulton se vrasësi ka qëlluar që jashtë në drejtim lokalit, kundër të gjithë personave që e kishin rrahur në mëngjes
DURRËS - "Vrasja e Artan Zekës ka qenë e rastësishme dhe nuk ka pasur motive politike". Të paktën ky është versioni i dhënë nga burime të Prokurorisë së Durrësit, pas marrjes në pyetje të dëshmitarëve në vendngjarje, si dhe të afërmve të autorit dhe të viktimës. Nga hetimet paraprake rezulton se Skënder Balla, nëna dhe e shoqja e tij ishin viktima të dhunës së gjashtë personave, mes të cilëve edhe Zeka, çka ka çuar edhe në reagimin e tij. Ndërkohë, policia po ruan familjen e 45-vjeçarit për të shmangur konfliktin mes dy familjeve. Të shtunën, në fshatin Qerret është zhvilluar ceremonia mortore e 32-vjeçarit, baba të tre fëmijëve.
Ngjarja
Pas marrjes në pyetje të dëshmitarëve, burime nga prokuroria shprehen se rezulton se mëngjesin e së premtes 45-vjeçari Skënder Balla po shkonte drejt Plepave, ku kishte një kioskë në të cilën shiste artikuj të ndryshëm. Gjatë rrugës përpara i kanë dalë gjashtë vetë mes të cilëve Artan Zeka dhe i ati. Ata e kanë akuzuar Ballën se kishte shqyer flamujt në qendrën elektorale të PD-së, gjë e cila është mohuar nga 45-vjeçari. Por mohimi nuk është pranuar prej grupit të personave, të cilët kanë nisur ta fyejnë dhe qëllojnë. Në këtë çast ka ndërhyrë për të mbrojtur të birin e ëma e Ballës, e cila është shtyrë nga babai i Zekës dhe është hedhur në një kanal pranë rrugës. Gjithashtu është qëlluar duke i shkaktuar nxirje të syrit edhe bashkëshortja e 45-vjeçarit. Pasi e kanë keqtrajtuar Ballën, gjashtë personat janë larguar.
Por viktima e dhunës tashmë i është drejtuar shtëpisë ku ka marrë një armë të cilën e kishte pa leje dhe i është drejtuar lokalit ku qëndronin zakonisht personat që e dhunuan. Kur ka qenë jashtë, ai ka shkrepur armën, plumbat e së cilës kanë kapur vetëm Zekën për shkak se të tjerët kanë arritur që të shtrihen përtokë në momentin që kanë dëgjuar të shtënat. 32-vjeçari është plagosur dhe ka ndërruar jetë në spital pas një ndërhyrjeje kirurgjikale të pasuksesshme. Sipas prokurorisë, hetimet e deritanishme provojnë se, ndryshe nga ç'u pretendua fillimisht, vrasja e Zekës nuk ka motive politike, por 45-vjeçari nuk ka mundur t'ua falë dhunuesve të tij sjelljen kundrejt së ëmës dhe bashkëshortes së vet. Nga dëshmitarët bëhet e ditur se Skënder Balla ishte një kryefamiljar i varfër i cili nuk është marrë kurrë me politikë.
Policia
Të shtunën në fshatin Qerret të Komunës së Katundit të Ri u zhvillua edhe ceremonia mortore për përcjelljen për në banesën e fundit të militantit të PD-së, Artan Zekës. Gjatë ceremonisë së varrimit policia kishte marrë masa për të mos pasur përballje mes dy familjeve në hasmëri, duke përqëndruar forca të shumta në fshat. Një ndër masat ishte edhe strehimi në një vend të sigurt i djalit 18-vjeçar të autorit. Gjatë paradites në familjen Zeka kanë mbërritur për ngushëllim Jozefina Topalli, ministrat Gazmend Oketa, Fatos Beja, Sokol Olldashi, deputeti Astit Patozi, si dhe autoritete lokale të PD-së.