E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjika: Në Vlorë nuk janë investuar 500 milionë euro

DEKLARATA/ Kryebashkiaku pohon se nga qeveria në qytetin bregdetar janë investuar vetëm 7 milionë euro


Kartat e identitetit vijojnë të jenë problem. Vetëm gjysma e aplikuesve janë pajisur me mjetin elektronik të identifikimit

VLORË - "Po abuzohet me të ashtuquajturat investime në Vlorë, si dhe me shpërndarjen e kartave të identitetit". Kjo ishte deklarata e dhënë nga kreu i Bashkisë së Vlorës ditën e djeshme gjatë një konference për shtyp ku ai akuzoi qeverinë për mashtrim lidhur me shprehjen se në Vlorë janë investuar 500 milionë euro. Duke iu referuar shifrave, ai bëri me dije se i vetmi investim i mirëfilltë i qeverisë është Rruga Transballkanike, ndërsa pjesa tjetër ishin investime të kompanive private, Bankës Botërore e donatorëve të tjerë.


"Kam ndjekur me kujdes prononcimet e drejtuesve të PD-së në Vlorë, - shpreh Gjika, - të cilët trumbetojnë një shifër prej 500 milionë eurosh të investuara në 4 vjet për qytetin tonë. I mbështetur në fakte dhe analiza konkrete, më duhet t'u bëj me dije bashkëqytetarëve të mi që kjo shifër është vetëm në mendjen dhe në letrat e propagandës elektorale, sepse vetëm 7 milionë euro të Rrugës Transballkanike janë investuar realisht në infrastrukturën e qytetit tonë". Duke dhënë shifra, kryebashkiaku vlonjat theksoi se ishin rreth 251 milionë euro që ishin investuar nga kompani dhe institucione të huaja, por të cilat nuk ishin kontribut dhe investim i drejtpërdrejtë i qeverisë në Vlorë.


Lidhur me investimet e deklaruara nga kryeministri, sipas Gjikës, "Vlora ka qenë jashtë vëmendjes së kësaj kujdesjeje financiare nga ana e qeverisë". Gjithashtu, numri një i bashkisë ka bërë publike listën e projekteve, të cilat prej kohësh flenë në sirtaret e zyrave qeveritare dhe përgjatë katër viteve nuk janë marrë në konsideratë.

Më tej Gjika denoncoi edhe një herë amullinë me kartat e identitetit. Sipas tij, deri tani janë shpërndarë karta vetëm për gjysmën e aplikuesve, shifra këto të ulëta po të krahasohen me një proces normal. Kryebashkiaku tha se "ndërsa nga njëra anë për procesin e hartimit të listave të zgjedhësve dhe përcaktimit të qendrave të votimit, jo vetëm nuk kemi pasur asnjë kontestim nga partitë politike, madje përkundrazi kemi pasur vlerësime maksimale pozitive nga KQZ-ja, OSBE-ODHIR-i dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, nga ana tjetër procesi i aplikimit dhe shpërndarjes së letërnjoftimeve elektronike, proces ky i menaxhuar nga qeveria dhe kompania "Aleat" e kontratuar prej saj, është tërësisht i dështuar dhe selektiv".


Gjika u shpreh se megjithëse ishte kërkuar transparencë dhe ecuri progresive, sërish asgjë nuk kishte ndryshuar. "Jo më kot, nga 46 242 aplikantë, për të cilët qëllimisht nuk jepet informacion se sa janë pa pasaportë, janë shpërndarë deri dje vetëm 23 601 karta identiteti, dhe pikërisht për këtë arsye kam denoncuar në organin e akuzës drejtuesit e kompanisë "Aleat", - tha kryebashkiaku. Reagimi i Gjikës erdhi pas deklaratave të dhëna nga krerët demokrat, si dhe kreu i qeverisë lidhur me investimet në qytetin bregdetar dhe ecurinë e mirë të kartave të identitetit.


Investimet:
TEC-i = 100 milionë euro - Banka Botërore
Petrolifera = 48 milionë euro - Investim privat italian
Ujësjellësi = 27 milionë euro - Donacion dhe kredi e qeverisë holandeze
Linja 20 KV = (faza I) 13 milionë euro - Qeveria koreane
(faza II) 60 milionë euro - Banka Botërore
Impianti i pastrimit të Ujërave të zeza = 2,7 milionë euro - Projekti PHARE

Bashkia Vlorë ka hartuar dhe depozituar projektet e mëposhtme:
1. Sistemimi i KUL të qytetit - 1,3 miliardë lekë
2. Rruga Skelë-Uji i Ftohtë - 1 miliardë lekë
3. Unaza e qytetit - 700 milionë lekë
4. Rruga Parku i Tregtisë - Kampi i Pionierëve - 500 milionë lekë
5. Rruga e Kombinatit dhe rruga Vlorë-Skelë - 3 miliardë lekë
6. Rikonstruksione të shkollave të qytetit - 500 milionë lekë
7. Projekte në fushën e turizmit - 600 milionë lekë

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›