E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet i pajetë trupi i një 45-vjeçari


MAT - Është gjetur i pajetë trupi i një 45-vjecari nga fshati Bejne i Bashkisë Klos në rrethin e Matit, ndërsa ende nuk bëhen të ditura shkaqet e kësaj vdekjeje. Banorët e fshatit njoftuan në policinë e Burrelit se në orët e para të mëngjesit, në vendin e quajtur Livadhi i Kadiut, kishin gjetur të pajetë trupin e 45-vjeçarit Hasan Kadiu, banor i fshatit Bejne, baba i 6 fëmijëve. Menjëherë pas këtij sinjalizimi uniformat blu kanë shkuar tek vendi ku shtrihej i pajetë 45-vjeçari Kadiu. Të marrë në pyetje, shumë banorë të fshatit kanë rrëfyer se personi në fjalë ishte larguar që të premten nga shtëpia dhe është gjetur dje.


Sipas të atit të moshuar të viktimës, i biri ka qenë duke kullotur bagëtitë së bashku me të dhe në një moment është larguar duke u fshehur në pyll, ndërsa e kanë kërkuar gjithë natën me shumë banorë të tjerë të fshatit. Vetëm dje është arritur të gjendej i vdekur në një gëmushë fieri. Sipas policisë, nuk janë parë shenja dhune mbi të, ndërsa mësohet se personi në fjalë ka pasur probleme mendore. Dy janë versionet e vdekjes së tij: infarkti ose pirja e ndonjë lënde helmuese për t'i dhënë fund jetës.


"Do të jetë autopsia që do të zbardhë gjithçka", sqaruan burimet policore.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›