E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafikoi mbesën,7 vjet burg tezes tutore

Gjykata e shkallës së parë të Beratit dënoi 9 vjet të dashurin e tezes. U deklaruan fajtor për trafikimin drejt Greqisë të 18-vjeçares e më pas shfrytëzimin e saj për qëllime prostitucioni në banesën ku mbahej. 

BERAT - Trafikoi mbesën për qëllime prostitucioni duke e detyruar të punojë si punonjëse seksi, gjykata e shpalli  fajtore dhe e dënoi me 7 vjet heqje lirie. Po për të njëjtën vepër penale, kryer në bashkëpunim, i dashuri i saj është dënuar me 9 vjet burg. Dje, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat i ka dhënë fund gjykimit për 24- vjeçaren Sara Canko dhe të dashurin e saj, Jani Mejdi, të cilët janë shpallur fajtorë nga ky organ për trafikimin drejt Greqisë të 18-vjeçares M.B (mbesë e 24-vjeçares), e më pas shfrytëzimin e saj për qëllime prostitucioni në banesën ku mbahej. Kreu i trupit gjykues, Nazmi Troka, në seancën e fundit të këtij procesi ka deklaruar fajtore 24-vjeçaren Sara Canko dhe komunikoi 7 vite burg për të nën akuzën e provuar të "trafikimit për qëllime prostitucioni në rrethana rënduese". Ndërsa 43-vjeçari Jani Mejdi, nga Saranda, i dashuri i Cankos, u dënua me 9 vite burg për akuzat e "trafikimit të prostitucionit për qëllime përfitimi në rrethana rënduese" dhe "dhënien e ndihmës për kalimin të paligjshëm të kufirit". Ishte 18-vjeçarja, që në muajin prill të vitit të kaluar denoncoi në polici shfrytëzuesit, tezen e saj dhe të dashurin. Më 25 prill 2008, policia bëri arrestimin e Cankos e Mejdit. Në seancën e vlerësimit, Gjykata vendosi hetimin në gjendje të lirë për Sara Cankon, tezen e viktimës, ndërsa dha "arrest me burg" për të dashurin e saj, tutorin Jani Mejdi.
(s.g/GSH/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›