E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koçi: Shkaktarët e tragjedisë, ende të pandëshkuar

Hija e tragjedisë së Gërdecit duket se do ta ndjekë pas qeverinë deri ditën kur fajtorët e vërtetë të saj të ndëshkohen sipas ligjit. Deputeti i PS-së, Petro Koçi, duke e risjellë sërish këtë shqetësim në Kuvend ka kritikuar qeverinë për qëndrimin e saj duke shmangur veten nga qeveria. Por Koçi ka përsëritur qëndrimin e mëparshëm të opozitës që përgjegjësi kryesor për masakrën e Gërdecit është Kryeministri Berisha. Është e pakonceptueshme, tha Koçi, sesi politika shqiptare sot nuk arrin të vërë pikat mbi "i" këtij kryepërgjegjësi dhe t‘i japë një përgjegjësi politike, duke e shkarkuar në Parlament dhe pastaj të detyrojë si instrument kushtetues këtë Parlament, edhe institucionet e tjera të drejtësisë për të vepruar mbi këtë kryepërgjegjës. Është e pamjaftueshme, tha Koçi, që deri më tani ka dhënë dorëheqjen vetëm ministri i Mbrojtjes dhe janë në ndjekje penale vetëm tre persona, është e papranueshme që prokuroria ndenji tri ditë për të nisur hetimin ndaj këtyre personave për ketë tragjedi dhe pas pesë ditëve prokurori bëri sekuestron e dokumenteve dhe të aseteve financiare të këtyre përgjegjësve. Sipas tij, është e papranueshme që pas kaq kohësh ende kjo përgjegjësi nuk ka ndaluar mbi ata që duhet, të cilët kanë jo vetëm lidhje ligjore dhe institucionale me çështjen, por edhe lidhje të tjera familjare dhe konfidenciale, me gjithë këtë sistem i cili çoi në vrasjen e disa njerëzve dhe shkatërrimin e qindra shtëpive. Politika, tha Koçi, nuk mund ta falë këtë që ka ndodhur dhe nuk mund ta kalojnë në heshtje këtë çështje dhe të shkojnë deri aty sa të bëjnë marrëveshje me këtë njeri, të bëjnë marrëveshje me krimin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›