E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Dialogu me Shqipërinë", Rama shkon në Sarandë

Dekori i "Dialogut për Shqipërinë", që mban në sfond pamjen e shpërthimit në Gërdec, ka mbërritur në Konispol, Sarandë e Mursi, ku kryesocialisti Rama ka vijuar turin e tij të bisedave, që vënë në fokus temën e sigurisë së jetës. "Shqiptari vdes në punë, në rrugë e në festë, ka thënë Edi Rama - dhe bilanci është si ai i luftërave". Pasigurinë e jetës së shqiptarëve Edi Rama e ka parë si pasojë të politikës së vjetër e të keqe të 17 vjetëve. Në këtë kontekst, ai bëri thirrje: "T‘ua marrim nga dora politikën politikanëve" për të prishur kufijtë që politikanët kanë vënë në 17 vjet mes nesh dhe politikës. "Ky është shtet i partive dhe partitë të ministrive" - u shpreh Rama mes socialistëve të Sarandës, të cilët e kanë befasuar me mbushjen e sallës dhe me sjelljen e shqetësimeve të përditshmërisë së tyre. "Deri në vitin 1990 - tha një prej diskutuesve - kishim shtëpitë tona mos më keq, por qytetin e kishim të mbajtur, ndërsa sot janë zbukuruar shtëpitë dhe hotelet të marrin sytë, por qyteti është rrudhur nga ndërtimet e betonit, nga zënia e lulishteve dhe nga ikja e rinisë". Rama ka paralajmëruar se po të vazhdohet kështu, fëmijët shqiptarë do të jenë nesër proletarë të Evropës së Bashkuar, që do të tregohen me gisht e do të merren për punët më të rëndomta. Diskutuesi shpëtimin nga të këqijat e ka kërkuar nga bashkimi i politikanëve dhe Rama i është përgjigjur duke thënë se "unë bëj apel të bashkohen qytetarët, jo politikanët, se po u bashkuan qytetarët pa pyetur për partira, politikanët detyrohen të bëhen shërbëtorë të tyre". Argumenti i tij ka qenë se partitë nuk janë si skuadra futbolli dhe politikanët nuk luajnë me top, por me fatet e Shqipërisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›