Trafiku i antikuarëve, prangoset përgjegjësi i muzeut
Skandali i trafikimit të veprave të artit, që përfshiu pak ditë më parë Beratin, ka vënë në pranga një tjetër të dyshuar për tregtimin e veprave të rralla. Përgjegjësi i Muzeut Etnografik Kombëtar në këtë qytet, tashmë do të gjykohet nën pranga dhe jo më në gjendje të lirë. Sami Starova është arrestuar të hënën në mbrëmje në banesën e tij. Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Beratit bëjnë me dije se 63-vjeçari u arrestua pas një vendimi të gjykatës, që ndryshon masën e sigurisë ndaj tij nga procedim në gjendje të lirë, në arrest në burg. Prokuroria duket se tashmë ka siguruar prova të pakontensueshme, që e përfshijnë Starovën në trafikimin e veprave të artit dhe kulturës, vepër për të cilën arrestoi disa ditë më parë djalin e tij dhe një person tjetër. Përgjegjësi i Muzeut Etnografik akuzohet drejtpërdrejt për këtë trafik, pasi nga hetimet e deritanishme rezulton se disa vepra të rralla do të trafikoheshin jashtë vendit. Organit të akuzës tashmë do t‘i duhet të zbardhë plotësisht skemën e këtij trafiku, por mbi të gjitha dyshimet e hedhura se si kanë rënë në duart e Starovës veprat e rralla. Në lidhje me hetimet e kësaj çështjeje, kreu i organit të akuzës, Xhemal Samiasi, shprehet optimist. Sipas tij, prej muajsh ky organ kish hetuar këtë rast trafiku, nxitur nga informacione të marra në rrugë operative dhe se shumë shpejt do të zbardhet funksionimi i gjithë rrjetit, konkretisht si kishin rënë në duart e Starovës veprat e rralla dhe se ku do të përfundonin. Me arrestimin e 63-vjeçarit Sami Starova, numri i personave të akuzuar për trafikim të veprave të artit dhe kulturës shkon në tre. Në momentin e ndalimit, 63-vjeçarit iu bllokua në cilësinë e provës materiale dhe një kompjuter laptop, në të cilin janë arkivuar disa prej veprave që dispononte dhe mendohet se do të tregtoheshin jashtë vendit. Më 15 nëntor, në pranga ra djali i Starovës, Mierli, 30 vjeç, dhe së bashku me një person me nënshtetësi turke dhe shqiptare, Bujar Dine, ndërkohë që u deklarua se Sami Starova do të hetohej në gjendje të lirë. Të tre u ndaluan në aksin rrugor Lushnjë-Fier, ndërsa udhëtonin drejt këtij qyteti për të tregtuar disa vepra të rralla.