E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i drogës, Gjykata e Lartë liron pronarin e “Kështjellës”

15/07/2009  Nuk ka prova për të akuzuarin

TIRANË – Gjykata e Lartë la të lirë dje pas shqyrtimit të masës së sigurimit Zaim Tafën, pronarin e lokalit me emrin “Kështjella” në Fier. I akuzuar për trafik droge në bashkëpunim, Tafa e ankimoi vendimin për masën e sigurimit duke e quajtur të padrejtë dhe të jashtëligjshëm. Sipas arsyetimit të nxjerër nga Gjykata e Lartë, akuza nuk ka pasur asnjë provë për të fajësuar Zaim Tafën. Ndërkohë që akuza këmbënguli se prova e fortë ishte dëshmia e marrë nga dy shtetasit gjerman, të cilët u kapën në momentin që po përgatiteshin për të kaluar pikën kufitare në drejtim të Greqisë. Shtetasit gjerman janë shprehur se ka qenë Zaim Tafa dhe Alban Pëllumbi, që të dy nga Fieri, ata që i dhanë lëndën narkotike. Por kjo për Gjykatën e Lartë nuk përbën një provë të fortë. 40 kg heroinë u kap në pikën kufitare Kakavijë në makinën që drejtohej nga dy shtetas gjerman. Kjo sasi heroine kishte si destinacion Italinë, duke kaluar nëpërmjet shtetit helen. Pas kapjes së dy shtetasve gjerman, të cilët ishin edhe personat që po e transportonin, doli edhe origjina e vërtetë e marrjes së sasisë së heroinës. Të arrestuarit pohuan se kanë qenë pikërisht dy fierakët ata që ua kanë shitur mallin e destinuar për tregun italian. Çështja kaloi menjëherë tek Krimet e Rënda, të cilat dhanë masën e sigurimit duke i lënë në arrest burgu.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›