E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhiymeri: Stretegjia “Rama” dështoi

15/07/2009  Oponenca ndaj lidershipit socialist

Zyrtarizohen zërat e parë kundër mënyrës se si u konceptua dhe u menaxhua fushata elektorale e Partisë Socialiste. Sekretarja për Shanset e Barabarta dhe Shoqërinë Civile në Partinë Socialiste, Edlira Haxhiymeri, gjatë një interviste televizive vuri në dukje se “humbja e politikës së re në zgjedhjet e 28 qershorit ka nevojë për një analizë të gjatë në struktura pas shpalljes së rezultatit zyrtar”. Ndërkohë, me një gjuhë krejtësisht kritike ndaj lidershipit aktual të PS-së, Haxhiymeri u ndal në gabimet (sipas saj) që u bënë në trajtimin e programit qeverisës dhe lënia e kandidatëve nën hijen e kryetarit Edi Rama, duke ndikuar negativisht kundrejt elektoratit. “Mënyra se si u prezantua programi i PS, i cili për hir të së vërtetës nuk pati pika të forta goditëse, nuk bëri ndryshim nga programet e partive të tjera, madje pati parti të majta të tjera që prezantuan më fuqishëm disa nga elementet bazë të programeve të tyre. Një personalizim i tejskajshëm i fushatës la një shije pasigurie, paqartësie, pse jo krijoi dhe një lloj shtangie, frike në elektoratin e majtë, pasi disa nga figurat nuk ishin të njohura dhe nuk u prezantuan në elektorat për të krijuar besimin e duhur”, - është shprehur Haxhiymeri. Përfaqësuesja socialiste shtoi gjithashtu se “ideja ‘përtej së majtës dhe së djathtës’ mbeti në ajër dhe nuk shkoi dot te grupet konkrete që votonin. Madje, ndodhi një paradoks: PS-ja u votua në shumicë nga moshat e pjekura, çka do të thotë se pjesën e të rinjve, atyre që shprehin dhe mbrojnë një mentalitet tjetër, ne nuk e thithëm dot. Pra, kjo strategji dështoi” . Gjithashtu, referuar zhvillimeve në vijim brenda selisë rozë, konkretisht për qëndrimin apo jo të Ramës në krye të PS-së, ajo u shpreh se “nuk jemi në kohën që mundet të shprehemi për këtë, por besoj se statuti i PS-së e ka të shprehur qartë një gjë të tillë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›