E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i drogës Shqipëri-Gjermani, 2 të arrestuar

Autori i Lajmit: red.
Policia e Tiranës, në bashkëpunim me atë të Gjermanisë, kanë bërë të mundur arrestimin e dy personave të akuzuar për trafik droge nga Shqipëria në Gjermani. Në pranga është vënë Gazmend Hasaj dhe Edis Muja. Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se një 33-vjeçar nga qyteti i Shkodrës është ndaluar nga policia, pasi akuzohet për trafik të lëndëve narkotike nga Shqipëria në Gjermani. Për Gazmend Hasajn, 33 vjeç, kishte një urdhërarrest nga Gjermania. Operacioni u organizua nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda dhe me policinë dhe autoritetet gjyqësore gjermane. Po për trafik droge, 2 ditë më parë, u arrestua në Gjermani Edis Muja, pasi akuzohet për trafikim nga Shqipëria në Gjermani të 11 kg marijuanë.
Arrestimi
Policia e Tiranës ka arrestuar dje dy persona me akuzën e shitjes dhe të trafikut të lëndëve narkotike. Sipas burimeve policore, bëhet e ditur se ndalimet janë bërë pas informacioneve të marra në rrugë operative dhe vrojtimeve paraprake ndaj të dyshuarve. Sipas drejtorisë së Policisë së Qarkut të Tiranës, u arrestua në kushtet e flagrancës, shtetasi Gëzim Kotorri, 31 vjeç, lindur e banues në Kavajë. “Ky shtetas ka qenë me precedentë të mëparshëm penalë. Ai u kap me një sasi prej 375 gramë bimë narkotike e llojit kanabis sativa dhe akuzohet për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, - tha policia. Ndërkaq, forcat e policisë ekzekutuan urdhërndalimin e Prokurorise së Krimeve të Rënda ndaj shtetasit Gazmend Hasaj, 35 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër. "Ky person akuzohet për trafik të lëndëve narkotike”, - thanë burimet, duke shtuar se ndaj tyre pritet të merren edhe masat e sigurisë.
Hetimet
Kanë zgjatur rreth një vit hetimet në lidhje me linjën e trafikut të lëndëve narkotike nga Shqipëria në Gjermani. Në hetime kanë marrë pjesë Prokuroria e Krimeve të Rënda, Policia e Shtetit si dhe drejtësia gjermane. Mësohet se të dyshuarit survejoheshin prej disa kohësh, por është pritur grumbullimi i të gjitha fakteve dhe arrestimi në kushtet e flagrancës. Ndalimi i të dyshuarit për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike është bërë pas një operacioni të suksesshëm të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda dhe me policinë dhe autoritetet gjyqësore gjermane, Më 04.08.2008 është arrestuar në Gjermani për trafikim nga Shqipëria në Gjermani të 11 kg marihuanë shtetasi shqiptar Edis Muja.

Ky lajm është publikuar: 07/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›