E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i drogës, pranga në Greqi “Gëzimit të Kashtës”

TIRANE-Gëzim Salillari, i njohur edhe si “Gëzimi i Kashtës” është arrestuar tre ditë më parë nga autoritetet greke për llogari të drejtësisë italiane. Burime zyrtare nga policia e Shtetit pohuan mbrëmë për “Gazetën Shqiptare” se Salillari është prangosur menjëherë pasi ka kaluar kufirin shqiptar për në Greqi. Burimet thanë se Salillari ka udhëtuar për në Greqi me një mjet të transportit publik dhe jo me automjetin e tij privat. Ai nuk ka pasur me vete asnjë substancë të ndaluar, por për të është në fuqi një urdhër-arresti ndërkombëtar nga drejtësia italiane. Ai akuzohet për trafik të lëndëve narkotike. Gjykata e Barit ka lëshuar një urdhër arresti për të, pasi ai nuk ka përfunduar dënimin dhe i ka mbetur edhe rreth 24 muaj burg për të bërë. Gëzim Salillari është arrestuar më parë në vitin 2006 në Shqipëri, por më pas është lënë i lirë nga gjykata e Durrësit në muajin shkurtë të vitit 2007.
PERSONAZHI
“Gëzimi i Kashtës”, u arrestua fillimisht në datën 27.04.2006 dhe njihet si pronar i një lokali luksoz në stabilimentin e vilave në plazhin e Durrësit. Në të njëjtin operacion, u prangosen edhe Artur Kozma Vaqo lindur në Orikum - Vlorë dhe banues në Durrës, i njohur si “Tur Labi” dhe i maskuar nën një identitet të rremë si Bujar Bitri dhe Ilir Bajram Sukaj, lindur në Durrës. Të tre këta, ishin të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge dhe pjesëmarrje në organizata kriminale. Salillari u akuzua asokohe se e dërgonte drogën në shtetet e BE-së nëpërmjet brigjeve të Detit Adriatik. Kreu i klanit konsiderohej Vaqo, ndërsa në Shqipëri emri më i njohur është i Salillarit ose siç quhej ndryshe “Gëzimi i Kashtës”, pronar i një lokali në zonën e residencave qeveritare në Durrës.

Aldo Bare, Lulëzim Berisha apo dhe Gëzimi i Kashtës kanë qenë prej vitesh eksponentë të njohur, edhe publikisht, për aferat e tyre ilegale, por praktikisht konsideroheshin si gati të paprekshëm. Të tre të arrestuarit akuzoheshin asokohe për trafik ndërkombëtar droge, pjesmarrje në organizatat kriminale por dhe për trafik të mjeteve motorrike dhe armëmbajtje pa leje. Emrat e tyre janë të njohur prej vitesh nga drejtësia italiane. Ato madje u bënë publik dhe në shtypin italian të kohës pas një operacioni të antimafies që goditi klanin shqiptar që vepronte në trafikun e drogës duke mbajtur lidhje e veprimtari dhe në landin e Bavarisë në Gjermani. Të paktën 27 persona, shqiptarë dhe italianë u arrestuan në mars të 2001, ndërkohë që tre të arrestuarit e vitit 2006 i shpëtuan operacionit të antimafies së Barit. Sipas autoriteteve italiane Artur Vaqo vlerësohej të ketë qenë kreu i padiskutueshëm i grupit, ndërsa Gëzim Salillari mbulonte shpërndarjen e heroinës në zonën e Campanias.

Miqësitë dhe fama e “Gëzimit të Kashtës”
Gëzim Salillari u bë i njohur në publik me nofkën e “Gëzimit të Kashtës”, nga debatat e shpërthyera mes socialistëve vite më parë, kur ish-kryeministri Fatos Nano dhe rivalët e tij brenda Partisë Socialiste akuzonin njëri-tjetrin se frekuentonin lokalin e Salillarit. Lokal i cili është marrë me qera në zemër të zonën rezidenciale qeveritare në Durrës e që është frekuentuar në vite nga shumë politikanë të lartë. Arrestimi i mëparshëm i Salillarit dëshmoi asokohe konfliktin mes qeverisë dhe prokurorisë. Në deklarimin publik të ministrisë së Brendshme thuhej se praktikat për të paktën dy nga tre nga të arrestuarit kanë qenë në prokurorinë e Përgjithshme që në vitin 2002. Ndërkohë burime të Prokurorisë së Krimeve të Rënda shpjegonin se bëhej fjalë për kërkesën për ekstradim nga Interpoli të cilat sipas tyre nuk mund të ekzekutohej për shkak se legjislacioni shqiptar nuk e parashikon.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›