Arrestohet roja i bankës që u grabit në Tiranë

Largimi nga vendi i shërbimit vetëm pak minuta para grabitjes së ndodhur ditën e mërkurë në degën e Bankës Kombëtare Tregtare në rrugën "Myslym Shyri" në Tiranë ka çuar në pranga rojën private të institucionit.
Burime zyrtare pranë policisë konfirmuan arrestimin e rojes private Asllan Spahia, i cili ishte me shërbim të mërkurën pranë degës së BKT.
Burimet thanë se arrestimi i Spahisë u krye pasi ky i fundit ka dhënë deponim të rremë në polici për ngjarjen.
Mësohet se roja privat i bankës kishte thënë në policisë se në momentin e grabitjes ishte në vendin e shërbimit, por që nuk kishte mundur të shmangte grabitjen.
Por, deponimi i rojës është kundërshtuar nga punonjësit e bankës, të cilët kanë akuzuar atë fillimisht për largim nga vendi i shërbimit.
Dhe versioni i vërtetë është mësuar vetëm pas shqyrtimit të pamjeve të marra nga kamerat e sigurisë së bankës, që vërtetuan se roja nuk ishte në vendin e shërbimit.
Më pas roja privat i bankës është vënë në pranga, ndërsa policia vijon hetimet për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të largimit të Spahisë nga vendi i shërbimit.
Dega e Bankës Kombëtare Tregtare u grabit mëngjesin e së mërkurës nga dy persona të maskuar dhe armatosur.
Shuma e grabitur nuk bëhet e ditur, por burime konfidenciale thanë se ajo nuk është e lartë.
Ndërkaq policia e Tiranës ka dhënë 1 milion lekë shpërblim për këdo që jep informacion të vlefshëm për arrestimin e autorëve të grabitjes.