E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia arreston tre persona për drogë



Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit njoftoi sot se tre persona të kërkuar nga drejtësia shqiptare për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike janë arrestuar brenda dhe jashtë Shqipërisë, gjatë 24 orëve të fundit.
Sipas burimeve zyrtare, mësohet se sot, në datë 17 shkurt 2010, nga Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar në Departamentin e Hetimit të Krimit, në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, kanë bërë arrestimin me qëllim ekstradimi drejt Gjermanisë të shtetasit turk:
1. Muhamet Omer GÖK, vjeç 29, lindur në Biberach, Gjermani, me kombësi turke dhe shtetësi gjermane.
Policia tha se arrestimi i tij është kryer pas një bashkëpunimi intensiv me Interpol Wiesbaden për identifikimin dhe lokalizimin e shtetasit Muhamet GÖK të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Sipas burimeve zyrtare, ky shtetas akuzohet për veprën penale të "trafikimit të lëndëve narkotike", pasi në periudhën Janar 2005- Tetor 2005, në 11 raste, ka transportuar gjithsej 21 kg Canabis Sativa nga Holanda në drejtim të Republikës Federale të Gjermanisë.
Arrestimi i shtetasit Muhamet GÖK u bë në bazë të nenit 495 të Kodit të Procedurës Penale dhe materialet në ngarkim të tij iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Tiranë dhe Ministrisë së Drejtësisë.
Ndërkohë, Strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, kanë ekzekutuar masën e sigurisë "arrest në burg", caktuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin penal nr. 101, datë 30.01.2010, për shtetasen:
1. Doriana Agim Brika, vjeç 33, lindur dhe banuese në Tiranë.
Sipas deklaratës së policisë, masa e sigurisë është vendosur në kuadër të njohjes së vendimit penal të Gjykatës së Apelit në Milano, Itali, datë 14.07.2004, duke e dënuar shtetasen Doriana Brika me 14 vjet burg për veprën penale të "Pjesëmarrjes në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike", si dhe për "Trafikim të lëndëve narkotike".
Po sot, Sektori i Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, Sektori Kundër Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me strukturat e tjera te Komisariatit të Policisë Shkodër, rreth orës 14.00 ka bërë arrestimin e shtetasit të shpallur në kërkim:
1. Sokol Pal PJOLLAJ, vjeç 19, lindur në fshatin Dajç të Shkodrës dhe banues në Shkodër.
Sipas policisë, arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër me vendimin penal nr. 242, datë 27.06.2009, e ka dënuar këtë shtetas me 6 vjet burg për veprën penale "Prodhim dhe shitje të narkotikëve në bashkëpunim", parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›