E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i klandestinëve, kapen në kufi 5 afganë

GJIROKASTER- Pesë afganë të cilët kanë tentuar të hyjnë ilegalisht në territorin shqiptar, janë ndaluar mesditën e së enjtes në aksin nacional rrugor Gjirokastër-Kakavijë. Sipas policisë, ata janë ndaluar në një prej pikave të kontrollit në Jorgucat, teksa udhëtonin më automjetin Mercedes me targa Vl-7603-C, që drejtohej nga Kastriot Shutaj.

Mësohet se afganët kishin hyrë në tokën shqiptare nëpërmjet kufirit të gjelbërt, dukë bërë lëvizje me këmbë deri në afërsi të fshatit Vrisera. Pikërisht, në daljen e këtij fshati për në aksin nacional, ata kanë hipur në një automjet-taksi për në drejtim të Tiranës. Pas kontrollit nga ana e policisë, është konstatuar se afganët nuk kishin asnjë dokumentacion shoqërues.

Për këtë shkak, ata janë shoqëruar për hetime në ambientet e komisariatit të policisë së Gjirokastrës. "Pas përfundimeve të veprimeve të para hetimore, klandestinët afganë janë kthyer pas për në shtetin grek. Shoferit të automjetit i është komunikuar procedimi penal për konsumimin e veprës penale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit",- shtojnë drejtues të policisë së Gjirokastrës.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›