Rimbursimi i kasave fiskale, biznesi në mëdyshje për ti vendosur
Ervin KOÇI
Bizneset e vogla mund të aplikojnë pranë degës së Tatim Taksave për rimbursimin e kasave fiskale. Është botuar në Fletoren Zyrtare ligji për “Sistemin e taksave vendore”, duke e bërë të gatshëm për ta zbatuar nga tatimet dhe biznesi. Ligji prek sistemin e ri për rimbursimin e kasave fiskale për ato biznese që i instalojnë brenda datës 31 dhjetor 2010 dhe aplikojnë për zbritje shpenzimi brenda datës 28 shkurt, periudhë që përkon me pagesën e këstit të parë të taksave në bashki. Ligji parashikon një rimbursim nga qeveria për kasa deri në 44 mijë lekë, ndërsa për taksimetra deri në 30 mijë lekë. Debati mbi vendosjen e kasave përfshiu edhe politikën, duke detyruar qeverinë të rishikonte masën e kompensimit, ndërsa opozita e ka kundërshtuar ligjin me faktin se ndikon negativisht në arkën e pushtetit lokal, me të paktën 2.3 miliardë lekë. Bizneset e vogla kanë si afat të fundit ligjor për vendosjen e kasave fiskale 31 dhjetorin. Sipas drejtuesve te administratës Tatimore, gjatë 10 mujorit të këtij vitit, për mospajisje me kasë fiskale janë vendosur 424 milion lekë gjoba.
Bizneset
Megjithëse Ministria e Financave ka vënë afat deri me 31 dhjetor për vendosjen e kasave fiskale, subjektet në tregun industrial pranë Medresesë në Tiranë shprehen të revoltuar se do të refuzojnë çfarëdolloj afati dhe gjobe që do t’u vendoset. “Nuk duam kasa këtu. Këtu është treg i lirë. Çdo prej nesh ai do të mbushë arkën e shtetit”,- shprehet një tregtar.
“Nuk e përballojmë dot. Shumica e tregtarëve do të falimentojnë. Le t’i vendosim gjobën, nuk e përballojmë dot”,- tha një tjetër tregtar. Të paktë janë tregtarët të cilët kanë blerë kasën fiskale me shpresë se do të kompensohen ashtu sikundër ka premtuar kryeministri Sali Berisha, por ka dhe nga ata të cilët ende nuk kanë vendosur pasi do t’i bashkëngjiten vendimit në shumicë të tregtarëve. “Jemi të detyruar që t’i vëmë në 31 në punë. Ne i kemi marrë kasat, por ende si kemi vendosur”,- deklaroi një tregtar. “Është një pjesë e mirë e tregut që si ka vendosur. Nuk mundet që ca ti vendosin dhe ca jo”,- shtoi një tjetër. Subjekte të tjera të cilët i janë bindur urdhrit të qeverisë që t’i blejnë kasat kundrejt çmimit 450 euro pasi do të kompensohen, duke mos shlyer detyrimet që kanë ndaj pushtetit vendor, nuk i kanë vënë ende në përdorim ato. Pak muaj më parë debati për kasat fiskale çoi në protesta të tregtarëve që i refuzonin ato.
INSTAT: Importi i mallrave të luksit ka rënë me 15.1%
Ecuria aspak pozitive e bursave për mallrat e luksit, si karburante, cigare, pije alkoolike dhe kafe si dhe rritja e akcizës për këto produkte, kanë ndikuar në uljen e importit të tyre. Instituti i Statistikave ka konstatuar se në tetor importi i mallrave me akcizë arriti në 4.9 miliardë lekë duke shënuar një rënie prej 15.1 për qind kundrejt muajit të mëparshëm. Ekspertët e ekonomisë argumentojnë se një tjetër faktor që kanë ndikuar në uljen e importit të mallrave të fortë, është edhe konjuktura e tregut vendas, përsa i përket karburanteve dhe kafesë. Importi i mallrave të luksit pritet të rritet gjatë muajit dhjetor për shkak të festave të fundvitit dhe kthimit në atdhe të emigrantëve, të cilët rrisin kërkesën për karburante, cigare, pije alkoolike dhe kafe. Importi i mallrave me akcizë përbën mbi 11% të totalit të importeve në vendin tonë. Ato kanë gjithashtu një peshë të konsiderueshme në të ardhurat e buxhetit të shtetit.
22 Dhjetor 2010