E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i kokainës, shtatë në pranga

Autori i Lajmit: red.
Banda Italo-shqiptare

Shtatë anëtarë të një bande italo-shqiptare të trafikut të kokainës janë vënë dje në pranga. Tre prej të arrestuarve janë shqiptarë me banim në Romë, ku ushtronin dhe aktivitetin e tyre. Zbardhja e rrjetit të drogës e prostitucionit e më pas arrestimi i anëtarëve të tij ka kërkuar tre vjet hetime nga forcat e antidrogës së kryeqytetit italian. Policia nuk ka
bërë të ditur identitetet e të ndaluarve, pasi hetimet në lidhje me të tjerë persona të dyshuar, si të implikuar në këtë rrjet, vazhdojnë.
Rrjeti
Shkatërrohet banda italo-shqiptare e trafikut të drogës që vepronte në kryeqytetin italian. Ka qenë një operacion i përbashkët i karabinierëve romanë me forcat e antidrogës së Romës, që çoi në shpërbërjen e kësaj organizate kriminale, e cila kishte bazat e saj operative në lagjet Tor Vergata, Tor Bella Monaca e Centocelle. Hetimet për këtë bandë kishin nisur më 2007 për të vijuar më pas përgjatë gjithë vitit 2008 dhe që u finalizuan me lëshimin e 11 urdhërarresteve.
Arrestimet
Aktualisht në pranga janë vënë 7 persona, ndër të cilët 3 italianë, (dy 29 vjeç dhe një 42 vjeç), 3 shqiptarë, (dy nga të cilët 24 vjeç dhe tjetri 27 vjeç) dhe një rumun, 29 vjeç. Të gjithë këta persona akuzohen për trafik të paligjshëm të lëndëve narkotike dhe shpërndarje kokaine. Nga hetimet rezulton se ishin shqiptarët ata që drejtonin punën, vendosnin për blerjet e klientëve, organizonin lëvizjet, ndërkohë që italianëve u takonte të bënin shpërndarjet e shpejta. Përveç 11 të ndaluarve, policia italiane ka shpallur në kërkim edhe 4 shqiptarë të tjerë.
Hetimet
Gjatë hetimeve është zbuluar gjithashtu se dy prej shqiptarëve, emrat e të cilëve ende nuk bëhen të ditur, akuzohen edhe për favorizim dhe shfrytëzim prostitucioni, pasi detyronin disa vajza me kombësi ruse e shqiptare të prostituonin. Gjithashtu, janë vënë në pranga edhe 15 persona të tjerë, të cilët u kapën në flagrancë duke shpërndarë drogë.

BOX
Bandat shqiptare, aktive në Itali

Vetëm pak kohë më parë ministri i Brendshëm italian ka pohuar se “Bandat shqiptare janë aktive në Itali”. Roberto Maroni e ka bërë deklaratën gjatë një seance dëgjimore të komisionit të Antimafias. Maroni ka deklaruar se bandat shqiptare janë aktive në trafikun e drogës dhe prostitucionit. Maroni theksoi se po vërehet lidhja e organizatave të huaja me organizatat kriminale vendase si në kryerjen e akteve të dhunshme, por edhe në rritjen e potencialeve operative. Sipas Maronit, për t u evidentuar janë organizatat shqiptare që janë aktive në trafikun e drogës dhe të prostitucionit. Por Maroni theksoi se nuk mbeten prapa edhe krimet e kryera nga rumunët, veçanërisht në përdhunime, si dhe nga nigerianët në shfrytëzimin dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Fakti që organizatat shqiptare janë të specializuara për trafikimin e drogës dhe qenieve njerëzore është evidentuar edhe në raportin e fundit të drogave të përgatitur nga Departamenti Amerikan i Shtetit për Shqipërinë, ku Shqipëria mbetet vend transit i të gjitha drogave, si i heroinës që vjen nga Afganistani ashtu dhe i kokainës që vjen nga Amerika Latine. Por për të bërë këtë trafik, shqiptarëve u duhet të punojnë në rrjet me organizatat italiane e ato greke, në mënyrë që droga të përfundojë në tregjet evropiane.
Ky lajm është publikuar: 03/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›