E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundojnë hetimet për vlonjatin e drogës

Autori i Lajmit: red.
Gjykata e Krimeve të Rënda do të nisë së shpejti procesin gjyqësor ndaj një 27-vjeçari nga Vlora, që u kap me drogë disa muaj më parë në portin e Vlorës. Mbi të rëndon akuza për "trafik të lëndëve narkotike". Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përfunduar hetimet dhe regjistruar për shqyrtim gjyqësor çështjen penale në ngarkim të shtetasit Saimir Bana, 27 vjeç nga Vlora. Burime nga kjo prokurori bënë të ditur se sipas materialeve hetimore, 27-vjeçari Bana dyshohet si përgjegjës në tentativën për të trafikuar nga Shqipëria në drejtim të Italisë të sasisë prej 4 kilogramë droge, e llojit kanabis sativa, e cila u bllokua disa muaj më parë nga autoritetet policore në portin e Vlorës. Sasia e drogës u gjet e fshehur në makinën e 27-vjeçarit Bana në një kontroll policor në pikën hyrëse të portit të Vlorës. Saimir Bana u arrestua në kushtet e flagrancës, ndërsa çështja ndaj tij iu referua për kompetencë hetimore Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Edhe pse policia dyshoi fillimisht për një rrjet të mirorganizuar, deri tani në gjykim ka përfunduar vetëm Bana.
Ky lajm është publikuar: 03/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›