E Diel, 1 Nëntor 2026

Stacioni i trenit në Ishëm, nuk zbatohen rregullat e sigurisë

Mungesa e rregullave të sigurimit, ka shkaktuar mjaft vështirësi gjatë lëvizjes së udhëtarëve, në stacionin e trenit të Ishmit në rrethin e Krujës. Pasagjerët janë të detyruar të hipin dhe zbresin me vështirësi teksa treni është në lëvizje. 

KRUJE- Shërbimi ndaj pasagjerëve në stacionin e trenit të Ishmit në rrethin e Krujës është në gjendje skandaloze. Gjatë lëvizjes së udhëtarëve me tren nuk zbatohen rregullat e sigurimit dhe treni nuk futet në vendin e caktuar aty ku njerëzit duhet të hipin dhe të zbresin pranë platformës së betonit. Shkurtimi i punëtorëve nga drejtoria e Hekurudhave në Durrës ka bërë që të mungojë edhe komandimi i levave, si pasojë pasagjerët hipin dhe zbresin me shumë vështirësi teksa treni është në lëvizje.

Më problematike gjendja paraqitet tek moshat e thyera ku shpesh herë nuk kanë munguar edhe aksidentet. Banorët ankohen se shteti nuk po ndërhyn për zgjidhjen e kësaj situate dhe shprehen se ndjehen të rrezikuar dhe në vështirësi ndaj këtij transporti.

Në të njëjtën kohë në këtë kalvar problemesh. Pasagjerët ankohen se treni nuk ka asnjë vagon për mallrat. Shpesh mungesa e këtij të fundit i detyron tregtarët ambulant të vendosin mallrat e tyre në të njëjtin vagon me ato të pasagjerëve duke shkaktuar kështu konfuzion në lëvizjen e udhëtarëve. Të presësh trenin në stacionin e Ishmit do të thotë të udhëtosh bashkë me problemet por edhe rrezikun si rezultat i mungesës së rregullave të sigurimit për të mos folur më tej për amortizimin e trenave ku mungojnë të gjitha kushtet. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›