Trafiku në Tiranë, rrugorët në gatishmëri për festat
Punonjësit e Drejtorisë së Qarkullimit në “12-orarësh”, për të shmangur problemet në trafik gjatë ditëve të festave
Me ardhjen e festave në rrugët e kryeqytetit shqiptar shtohet edhe numri i makinave. Kjo e vështirëson së tepërmi qarkullimin rrugor dhe sjell jo pak probleme në lëvizje.
Të lëvizësh në Tiranë është diçka e vështirë dhe stresuese në “normalitet”, ndërsa gjatë festave të fundvitit, me rritjen e numrit të makinave nga “të ardhurit”, kjo bëhet një makth i vërtetë. Megjithatë, këtë vit nga Drejtoria e Qarkullimit rrugor është hartuar një plan, i cili do të synojë që të normalizojë lëvizjen midis datave 25 dhjetor -5 janar, atëherë kur është edhe fluksi më i madh i makinave në kryeqytet. Sipas shefit të Qarkullimit Rrugor, Krenar Ahmeti, që prej datës 15 dhjetor, punonjësit e Policisë Rrugore “kanë kaluar që të gjithë në 12-orarësh”. Sipas tij, “kjo bëhet me qëllim që të normalizohet trafiku i rënduar, kjo si pasojë e ardhjes së emigrantëve me rastin e festave”. Në rrugët e Tiranës shikohet një prani më e madhe e Policisë Rrugore, qëllimi i së cilës është shmangia e situatave kaotike në rrugët kryesore, si dhe normalizimi i trafikut. Sipas shefit të Qarkullimit Rrugor, kjo gjendje “gatishmërie” do të vazhdojë deri në datën 5 janar, kur edhe emigrantët, të cilët kanë zgjedhur që të kalojnë festat e fundvitit në vendlindje, do të largohen për t’u rikthyer sërish në vendet e tyre të punës. Ndërkohë që përveç Tiranës, një mobilizim nga uniformat blu do të ketë në të gjithë vendin. Në kërkesën e tij, drejtori i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, ka kërkuar shtimin e patrullave në rrugët kryesore të vendit, kryesisht në akset më problematike. Nga eksperiencat e viteve të kaluara është shtuar numri i aksidenteve në periudhat që kthehen emigrantët, ndaj dhe akset rrugore më problematike do të jenë të kontrolluara nga punonjësit e Policisë Rrugore, të cilët do të marrin masa ndëshkimore ndaj drejtuesve të mjeteve, të cilët shkelin Kodin Rrugor. Punonjësit e Policisë Rrugore do të jenë të angazhuar në rrugët e kryeqytetit gjatë festave të fundvitit, me qëllim shmangien e aksidenteve rrugore. Ndërkohë që një vëmendje e madhe do të jetë në Tiranë, ku parashikohet që të jetë edhe përqendrimi më i madh i emigrantëve gjatë festave të fundvitit.
Box
Policia e Shtetit
Edhe Policia e Shtetit kalon në gatishmëri, për të siguruar qetësinë gjatë festave të fundvitit. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, me anë të një telegrami që iu ka dërguar të gjitha drejtorive të policisë në qarqe, ka urdhëruar marrjen e masave, me qëllim parandalimin e ngjarjeve të mundshme kriminale.
Kështu, gjatë këtyre festave janë një sërë masash që duhet të marrin punonjësit e policisë, duke filluar nga shtimi i efektivave në pikat kufitare deri në regjistrimin e menjëhershëm të kallëzimeve, të cilat duhet të merren me seriozitet nga ana e oficerëve të policisë. Festat e fundvitit do të angazhojnë jo pak punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët kanë për prioritet garantimin e rendit dhe qetësisë publike. Ndërkohë që mbërritja e emigrantëve ka detyruar policinë të marrë masa në pikat e kalimit kufitar për verifikimin e tyre, me qëllim evidentimin e personave të shpallur në kërkim nga policia. Gjithashtu, në gatishmëri të plotë është urdhëruar të jetë edhe zyra e prodhimit të pasaportave pranë drejtorive të policisë në qarqe, kryesisht e Tiranës, për shkak të pajisjes me pasaporta të emigrantëve.