E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku, përgjimet tradhtojnë ish-policin

• Ish-polici i arrestuar në Tiranë me akuzën e marrëdhënieve seksuale me dy vajza të mitura, ka mohuar se kishte në plan të trafikonte dy vajzat 13 dhe 17-vjeçare.Dashamir Biçaku "Nuk kam kryer seks me to dhe nuk kam dashur t'i trafikoj jashtë vendit. Nuk i kam shfrytëzuar ndonjëherë për prostitucion",- mësohet të ketë deklaruar 47-vjeçari Haxhi Qelemini. Burime të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, pohuan dje për gazetën "Panorama", se i arrestuari, ish-efektiv i sallës operative të Drejtorisë së Policisë së Korçës, gjatë marrjes në pyetje nga grupi hetimor ka refuzuar të ishte përfshirë në një histori të tillë trafikimi. I arrestuari ka pretenduar se nuk është pjesë e ndonjë rrjeti të trafikimit të vajzave të mitura për trafik me qëllim shfrytëzimin e tyre për prostitucion jashtë vendit. Ky ka qenë pretendimi, i 47-vjeçarit korçar Haxhi Qelemini, i ndaluar nga agjentët e policisë në flagrancë, nga hetuesit e Antitrafikut të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Gjithsesi, një pretendim i tillë pak ka vlejtur për hetuesit e çështjes të cilët kanë shtrënguar prangat e çelikta ish-kolegut të tyre, një personazh kompleks për ta pasi jo vetëm aktiviteti i tij kriminal, por edhe jeta private rezulton të jetë e ngatërruar. Përpos deklarimeve të vajzave të dëmtuara, policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, kanë mundur të mbledhin edhe prova të tjera që hedhin dritë mbi aktivitetin e ish-efektivit të Policisë së Korçës. Zyrtarë të hetimit, të organit të akuzës, kanë pohuar dje për gazetën se një numër telefonatash që komunikonin me telefonin e policit, kanë qenë në përgjim së paku prej 10 ditëve. Burimet pohojnë se në përgjithësi janë përgjuar telefonatat e kryera nga numri i telefonit të personit të arrestuar në drejtim të telefonave të tjerë. Madje nga hetimi i kryer nga organet përkatëse është zbuluar, se Haxhi Qelemini, kishte kontaktuar edhe njerëzit me të cilët do t'i trafikonte në drejtim të Italisë e madje edhe mënyrën se si do të realizohej ky veprim. Bashkëpunëtorët e ish-policit sipas hetimeve tashmë janë nën vëzhgim, ndërsa për ta nuk janë bërë të ditur emra apo të dhëna të tjera. Haxhi Qelemini, 47 vjeç nga Korça, ish-polic i drejtorisë së këtij qarku, u ndalua mbrëmjen e të shtunës në rrugën "Besa", ndërsa po kryente marrëdhënie seksuale me dy vajzat e mitura, me iniciale A.J, dhe O.J. Më parë, sipas policisë i arrestuari kishte shfrytëzuar dy vajzat për qëllime prostitucioni në Tiranë, duke organizuar "mbrëmje festive", në shtëpinë e marrë me qira prej tij në rrugën "Besa".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›