E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku, policia referon në zyrat për mbrojtjen e të miturve

Tiranë Shqipëria cilësohet ende një vend origjine për trafikun e fëmijëve

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, rrjedhimisht dhe vartësit e saj, drejtoritë e policisë në qarqe duhet të referojnë rastet e trafikut të qenieve njerëzore sa herë që ata ndeshin gjatë intervistimit, apo dhe dyshojnë se kemi të bëjmë me raste të tilla. Vetëm në vitin 2009 janë referuar si trafik i qenieve njerëzore plot 131 raste. Për këto raste, menjëherë pas intervistimit ato janë referuar në qendrat e trajtimit të viktimave të trafikimit ku bëhet rehabilitimi i tyre. Raportet e grupeve të interesit që operojnë në këtë fushë theksojnë se Shqipëria cilësohet ende si një vend origjine për trafikun e fëmijëve, megjithëse nuk konsiderohet më si vend tranzicioni apo destinacioni. Sipas këtyre raporteve, rrugët e trafikut të paligjshëm të fëmijëve janë Shqipëri-ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë-Greqi, me synim vendet e tjera të Europës Perëndimore; Shqipëri-Mal i Zi-Serbi-Slloveni-Itali; Shqipëri-Kosovë-Kroaci-Slloveni, me destinacion përfundimtar vendet e Europës Perëndimore, si dhe Shqipëri-Greqi-Itali. Sakaq, rrugët detare nuk janë më në destinacion të trafikut të fëmijëve, që prej vendimit të qeverisë, e cila miratoi moratorium kundër përdorimit të skafeve, që ishte dhe mjeti kryesor në trafikun e qenieve njerëzore, dhe tashmë si rrugë e vetme e trafikut mbetet ai tokësor. Ndërkohë, bëhet e ditur se trafikimi ndërkombëtar i fëmijëve shoqërohet më pas edhe me trafikimin kombëtar, ku të dhënat e mëparshme tregojnë se 1/3 e fëmijëve të trafikuar, ritrafikohen. Nga statistikat, rezulton se numri më i madh i fëmijëve të trafikuar i përket komunitetit rom. Kjo vjen si pasojë e varfërisë së tyre të thellë, por edhe të analfabetizmit, ku bëhet e ditur se 64 për qind e romëve deri në moshën 20 vjeç nuk dinë shkrim dhe këndim. Vendet fqinje, Kosova, Greqia, Italia dhe Maqedonia, janë edhe shtetet ku përfundon numri më i madh i fëmijëve shqiptarë të trafikuar, kjo edhe si pasojë e lehtësisë më të madhe për të hyrë në këto vende. Po kështu braktisja e fëmijëve në mosha të vogla nga prindër që shkojnë në emigracion, ose nga nëna të cilat janë përfshirë në rrjetet e trafikimit njerëzor, i ka shndërruar këta fëmijë në target grupin më të rrezikuar dhe më të kërkuar nga trafikantët e të gjitha rrjeteve. Vajza minorene të mbetura pa asnjë mbështetje, bëhen shpesh objekt abuzimi edhe nga të afërm dhe familjarë të papërgjegjshëm; të cilët kanë marrë përsipër të kujdesen për to. Të ndodhura në këto kushte ata shpesh detyrohen të largohen nga abuzuesit e tyre dhe detyrohen të dalin në rrugë, sepse shteti që duhet të kujdeset për to nuk i mbështet dhe nuk i trajton për shkak të mungesës së qendrave rezidenciale në shkallë vendi. Për dy vajza minorene, të cilat janë referuar nga policia, për shkak të moshës së tyre të vogël 11 dhe 13 vjeç, u kërkua, nga aktorët që veprojnë në këtë fushë, ndihma e Komitetit Rajonal dhe e institucioneve përkatëse që merren me fëmijë; me qëllim trajtimin e tyre në qendrat rezidenciale shtetërore, të cilat kanë përgjegjësinë e plotë për mirërritjen e tyre.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›