Trafiku, të gjitha pasuritë shtetit, prostitutat vetëm dëm moral

02/04/2005 TIRANË – Të gjitha pronat e tutorëve të prostitutave, kapove të trafikut të drogës, personave që merren me trafikun e fëmijëve dhe të të gjithë të pandehurve që hetohen nga Krimet e Rënda, do kalojnë në favor të shtetit. Kalimi i këtyre pronave bëhet menjëherë pas dhënies së vendimit dhe deklarimit fajtor të të pandehurve. Fillimisht pronat mbeten të bllokuara. Shansi i vetëm kur të pandehurit mund të marrin pronat, është nëse fitojnë pafajësi. Nga ana tjetër, vajzat e trafikuara edhe pse kanë punuar në semaforët e shteteve të ndryshme dhe janë shfrytëzuar pa fituar asnjë grosh, i lind e drejta të kërkojnë vetëm dëmin moral. Këtë dëm moral në bazë të ligjit duhet ta kërkojnë duke bërë një padi civile. Kjo padi mund të shqyrtohet e bashkëngjitur me padinë penale, ose ngrihet e veçantë dhe shqyrtohet me tjetër trup gjykues. Shumën që duhet të fitojë vajza e trafikuar nëpërmjet padisë civile, shpesh e cakton gjykata. Pronat e para që janë propozuar për të kaluar në favor të shtetit janë ato që i përkasin dy të pandehurve nga Durrësi, akuzuar për trafik fëmijësh. Fillon sekuestrimi i pronave të të gjithë personave që janë nën hetim dhe në gjykim nga Krimet e Rënda. Zyra e verifikimit dhe sekuestrimit të pasurive të vëna në rrugë të paligjshme, e krijuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ka marrë në dorë të gjitha dosjet penale dhe është në fazën e kryerjes së verifikimeve. Ka pak më shumë se një vit që është krijuar Gjykata e Krimeve të Rënda dhe njëkohësisht me të edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda. Në këtë zyrë janë duke punuar dy prokurorë, të cilët sapo marrin në dorë dosjen fillojnë verifikimet. Në "sitën" e verifikimeve, sipas të dhënave të marra në këtë zyrë, do të kalojnë të gjithë familjarët e personave të implikuar. Prona do të sekuestrohet, edhe nëse është e regjistruar në emër të nënës, babait, vëllait, motrës, fëmijës, gruas. Praktika e kalimit të pronës në emër të familjarëve nga trafikantët është bërë tepër e njohur. Deri tani, sipas burimeve nga zyra e sekuestrimeve, janë futur në rreth të kuq shumë persona. Pasi bëhet verifikimi nga ana e prokurorëve, vendimi për sekuestrimin e pronave merret më pas nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Albeti Veshi ishte një nga tutorët e prostitutave, të cilit iu sekuestruan disa prona në Sarandë, të regjistruara në emër të nënës dhe motrës.