Papa i sëmurë, Seria A në pikëpyetje
02/04/2005 Duke parë gjendjen e rëndë shëndetësore në të cilën ndodhet Papa Gjon Pali II, po vlerësohet hipoteza e një pezullimi të kampionateve italianë të futbollit. Ditën e djeshme u fol për një mbledhje midis krerëve italianë në lidhje me këtë problem, por më pas u përgënjeshtrua gjithçka. Kanë ardhur edhe reagimet e para për hipotezën e pezullimit, duke filluar nga presidenti i Livornos, Spineli, duke qenë se sot pasdite është në program ndeshja Lacio - Livorno. “E dimë që ekziston mundësia e pezullimit të kampionatit, për shkak të përkeqësimit të gjendjes të Atit të Shenjtë. Ne jemi në Romë dhe do të presim udhëzimet nga Liga dhe Federata. Për mendimin tim, është një veprim i justifikueshëm, sidomos në Romë, ku ka shumë kaos edhe për zgjedhjet që po afrojnë. Në këto kushte, do të ishte mirë që ndeshja të luhej në një moment më të përshtatshëm”, deklaron presidenti i Livornos. Ndërkaq, presidenti i Palermos, Maurico Zamparini kundërshton: “Nuk besoj se kampionati duhet të ndalet, por vetëm duhet vlerësuar më mirë situata për ndeshjen Lacio - Livorno”. Trajneri i Milanit, Karlo Ançeloti, nuk ka asnjë dyshim: “Duhet të ndalemi, sepse është gjëja e duhur në këtë moment të vështirë”. Ndërsa presidenti i Lacios, Klaudio Lotito, preferon të qëndrojë në pritje: “Zyrtarisht nuk na është thënë asgjë, por e kuptoj situatën dhe do t’i bindem çdo vendimi që do të marrin autoritetet. Është e qartë që në rrethana të tilla çdo zgjidhje është e justifikuar, megjithëse shpresoj që të mos të na shkaktojë probleme. Në situatën aktuale, Livorno nuk ka në dispozicion 3 lojtarë, shpresoj që të mbetet i njëjti formacion, në rast shtyrje”.