Vrasja në Vermosh se i ndau motrën
SHKODER – Policia e Shkodrës arrin që brenda pak orëve të identifikojë dhe të kapë autorin e vrasjes në Vermosh. Sipas Policisë, Gëzim Alija ka qëlluar për vdekje 33-vjeçarin Gjovalin Vuçinaj pas prishjes së krushqisë, sepse viktima i kishte ndarë të motrën. Ky ka qenë shkaku i krimit të së dielës në fshatin Vukël të komunës Kelmend, ndërsa mbeti i plagosur nga plumbat dhe personi që ndodhej në tavolinë me viktimën, Bardhok Grishaj. Me gjithë problemet që kishin të bënin me orën e vonë kur ka ndodhur ngjarja dhe pozitën gjeografike të fshatit Vukël, brenda pak orësh Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër ka arritur që të zbardhë ngjarjen e më pas të arrestojë edhe autorin e saj. Pas marrjes së informacionit, menjëherë nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër në bashkëpunim me forcat e Komisariatit Malësi e Madhe është organizuar puna për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes dhe arrestimin e autorit. Nga kryerja e veprimeve të para hetimore rezulton se autori i vrasjes është shtetasi Gëzim Gjergj Alija, 43 vjeç, banues në fshatin Vukël, komuna Kelmend e rrethit Malësi e Madhe, i cili është kapur nga forcat e Policisë rreth orës 00:00. Në momentin e arrestimit, Alija kishte me vete dhe armën automatik me të cilën kreu krimin. Mësohet se ai nuk ka bërë asnjë rezistencë në momentin e mbërritjes së policisë. Nga dëshmitë në vendngjarje, policia ka siguruar rrethanat në të cilën ndodhi vrasja. Sipas tyre, në mbrëmje, viktima dhe i plagosuri po pinin kafe në të njëjtën tavolinë në një lokal në qendër të fshatit Vukël. Rreth orës 20:30, në lokal ka hyrë i pamaskuar dhe i armatosur me një automatik Gëzim Alija, i cili ka qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të tavolinës ku ishte i ulur Gjovalin Vuçinaj. Për pasojë është vrarë me armë zjarri Vuçinaj si dhe është plagosur shtetasi Bardhok Grishaj, 38 vjeç. Nga hetimet e para mësohet se para pak ditësh mes viktimës dhe autorit të vrasjes ka pasur një grindje e cila ka përfunduar deri në konfrontim fizik mes tyre. Shkak për këtë konflikt është fakti që Gjovalin Vuçinaj kishte ndarë motrën e Gëzim Alisë. Një gjë të tillë ai nuk ia ka falur dot, ndaj dhe kishte vendosur që të hakmerrej ndaj Vuçinajt. r.d