E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet shqiptare, më shumë studentë nga trojet

Vizita e Ministrit të Arsimit të Kosovës në Tiranë është finalizuar më nënshkrimin e një marrëveshjeje me Ministrinë shqiptare të Arsimit. Ministri kosovar, Enver Hoxhaj, dhe Ministri Shqiptar, Myqerem Tafaj, u zotuan se mes dy institucioneve do të ketë një bashkëpunim në fushën e arsimit dhe shkencës.


Kjo marrëveshje 5-vjçare ka për synim të intensifikojë dhe të garantojë bashkëpunimin e dypalëshe midis dy vendeve mbi bazën e realizimit të objektivave të përbashkëta për arritjet e standardeve në fushën e arsimit, ku një nga pikat më të rëndësishme është rritja e numrit të kuotave për studentët nga Kosova.


Pikat kryesore, në të cilat mbështetet marrëveshja prekin bashkëpunimin në fushën e kurrikulave në sistemin parauniversitar dhe atë universitar për shkëmbimin e nxënësve, studentëve dhe profesorëve. Bashkëpunimi do të shtrihet edhe nëpërmjet projekteve të përbashkëta të kërkimit shkencor në fushën e nëntokës, shkencave albanologjike, mjedisit etj.


Marrëveshja parashikon hartimin e diplomave të përbashkëta sipas standardeve të Bashkimit Europian, si dhe mbështetje për studentët e doktoraturës, duke shtuar numrin e kuotave për studentët nga Kosova. Gjithashtu, marrëveshja do të sigurojë edhe mbështetje për universitetin e Prizrenit me staf akademik dhe hartimin e kurrikulave.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›