Tiranë, prangosen grabitësit me armë
Tre persona janë arrestuar të dyshuar si autorë të vjedhjes me dhunë, pranë fushës- së aviacionit dhe në autostradë
TIRANË- Policia e kryeqytetit ka arrestuar dje autorët e tre grabitjeve të ndryshme të kryera gjatë javëve të fundit si dhe ka bllokuar disa nga sendet e vjedhura. Duket se tre të arrestuarit janë tradhtuar nga grabitja e fundit, vjedhja e një fuoristrade në afërsi të QTU-së. Bashkim Begani 27 vjeç, i dënuar për vjedhje, Shpëtim G. 15 vjeç, si dhe Ervin Xheladini, 20 vjeç, të tre banues në afërsi të kombinatit "Josif Pashko" dhe në rrugën "Vangjel Noti", dyshohet se janë autorë të së paku tri grabitjeve të kryera në afërsi të fushës së Aviacionit, si dhe në në autostradën Tiranë- Durrës, në afërsi të fshatit Yrshek. Arrestimi i tyre është kryer në zonën e Laprakës dhe ish- kombinatit "Josif Pashko", ku edhe banonin personat e arrestuar. Gjatë ndërhyrjes, Bashkim Begani, ka tentuar t'iu largohet efektivëve të policisë por pa ia arritur qëllimit. Pas kapjes së Beganit, blutë kanë ndaluar edhe dy personat e tjerë të dyshuar. Zbulimi i personave, është kryer pas të shtënave me armë që ishin regjistruar në autostradë gjatë grabitjes së tyre të drejtuesit të një fuoristrade ML. Autorët kishin qëlluar për të terrorizuar me armë drejtuesin e mjetit. Pas këtij veprimi drejtuesi i mjetit është detyruar të dorëzojë paratë dy personave që grabisnin me armë dhe me maska, ndërsa më pas është larguar. Targa e mjetit dhe lloji i tij janë fiksuar nga dy policë roje që ruanin një objekt aty. Në vendin e ngjarjes, kanë mbërritur hetuesit e zyrës së vrasjeve, të cilët kanë marrë deklarimet e para ndërsa pronari i mjetit është thirrur nga policia për të dëshmuar. Dëshmitë e marra nga hetuesit në zonë, kanë zbuluar se aty ishin parë dy persona me armë dhe me maska të kalonin aty. Nisur nga përshkrimi dhe të dhëna të tjera të siguruara, policia ka dyshuar se autorët ishin dy persona që banonin në zonën e Breg Lumit, që janë shoqëruar e më pas ndaluar nga policia. Nga hetimi, policia ka zbuluar se autorët ishin përgjegjës për dy grabitje në fushën e aviacionit, ku blutë kanë gjetur dy automatikë dhe disa aparate telefoni celularë. Tre të arrestuarit sipas policisë, akuzohen për grabitje me armë dhe me maska në bashkëpunim, më shumë se një herë si dhe për kanosje.