Tragjedi në futboll (Video)

(E plotësuar) Mesfushori i Livornos, Piermario Morosini ka vdekur pas sulmit në zemër që pësoi gjatë ndeshjes së skuadrës së tij kundër Pescarës në Serie B, të shtunën. 25-vjeçari u rrëzua përtokë në minutën e 31-të të takimit dhe mori trajtim në fushë- duke përfshirë një masazh në zemër në përpjekje për ta ringjallur – para se të dërgohet në spital.
Ndeshja u ndërpre dhe futbollistët u larguan nga fusha me lot në sy. Nuk kaloi gjatë dhe erdhi lajmi i keq. “Tragjedi në fushë. Pas sulmit në zemër të pësuar gjatë ndeshjes mes Pescarës dhe Livornos, Piermario Morosini ka vdekur”, thuhej në komunikatën e publikuar në uebfaqen zyrtare të Serie B. Futbollisti 25 vjeç i cili depërtoi nga skuadra e të rinjve të Atalantës, erdhi në Livorno nga Udinese gjatë afatit kalimtar të janarit.
Ai bëri nëntë paraqitje për Livornon. Në komentet e tij pas ndeshjes, drejtori i përgjithshëm i Pescarës, Danilo Iannascoli tha: “Ai më shikonte në sy derisa e dërgonim në spital. Po jetojmë në dramë”. Mediet italiane kanë njoftuar se një veturë që i takonte policisë së trafikut kishte bllokuar ambulancën në dalje nga stadiumi dhe u desh t’i thyhet një xham në mënyrë që vetura të lëvizet.
“Nuk e di nëse ambulanca ishte vonuar, por e di se dalja nga stadiumi ishte bllokuar nga një veturë. Morosini kolapsoi, u mundua të ngrihet, por më pas kolapsoi sërish”, deklaroi Iannascoli. Kurse, kardiologu i spitalit, Santo Spirito në Pescara, Edoardo De Blasio tha: “Fatkeqësisht ai ishte i vdekur kur erdhi në spital. Atij nuk iu kthye vetëdija”.
Roberto Baronio, ish-bashkëlojtar i Morosinit në Udinese, shprehu keqardhjen e tij për vdekjen e shokut. “Ai ishte person shumë i pafat. Disa vjet më parë, ai humbi prindërit dhe vëllanë brenda një periudhe të shkurtër. Kam filluar ta njoh sa ishte në Udinese dhe nuk ka fjalë të përshkruar se si ndihem tani. Është absurde, ai ishte vetëm 25 vjeç”, deklaroi Baronio për Sky Sport 24.
Vdekja e Morosinit erdhi vetëm disa javë pas lajmit se mbrojtësi i Barcelonës, Eric Abidal duhet t’i nënshtrohet një tjetër operacioni, kësaj radhe për transplantimin e mëlçisë. Kurse, muajin e kaluar, kapiteni i Aston Villës, Stilyan Petrov u diagnostikua me leukemi akute, ndërsa mesfushori i Boltonit, Fabrice Muamba pësoi sulm në zemër në fushë gjatë ndeshjes kundër Tottenhamit në FA Cup. Fatmirësisht, ai është në rrugë të mirë drejt rikuperimit. Por, Morosini nuk ia doli.